Shisnin drogë në ambientet e një pallati në Tiranë, 1 i arrestuar, 2 në kërkim. U zbuluan gjatë një kontrolli rutinë

Një rast i shitjes së lëndëve narkotike në ambientet e një pallati është goditur në Tiranë, ku përfundoi në pranga një person dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim.
Sipas hetimeve, 3 shtetasit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kishin siguruar lloje të ndryshme lëndësh narkotike (Kokainë, Cannabis Sativa dhe MDMA), sasi të të cilave i kishin fshehur në ambientet e përbashkëta të një pallati dhe në një automjet të parkuar përballë tij, me qëllim shitjen.
Gjatë një kontrolli rutinë të efektivëve të “Shigjetave” u konstatua 26-vjeçari Gerold D. duke konsumuar hashash. Pas ndalimit, kontrollet zbuluan doza kanabisi në ambientet e pallatit dhe në një automjet të parkuar përballë tij, ku u gjetën dhe sekuestruan 1 kg e 32 g kokainë, 377 g cannabis sativa, 13 tableta MDMA si dhe automjeti tip “Mazda”.
Gjithashtu janë shpallur në kërkim edhe dy bashkëpunëtorët e tij A. A., 26 vjeç dhe D. A., 24 vjeç. Të tre dyshohet se vepronin në bashkëpunim për sigurimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në Tiranë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/