Si të përballesh me kancerin- Mësuesja Anila Shehu nga Korça tregon luftën e saj ndaj kësaj sëmundjeje

E diagnostikuar dy vite më parë me kancer gjiri, Anila Shehu nga Korça u përball për herë të parë me sëmundjen pas një kontrolli të rastësishëm, një moment që, siç rrëfen ajo, ishte tronditës dhe i vështirë.
Frika dhe pasiguria shoqëruan ditët e para, por vendimi për t’iu drejtuar menjëherë mjekëve dhe për të mos humbur kohë u kthye në hapin më të rëndësishëm të betejës së saj.
Dëshira për jetën dhe besimi në Zot e ndihmuan të gjente forcë brenda vetes për të përballuar këtë sfidë.
“Momenti i parë i zbulimit të sëmundjes ishte thjesht një prekje e momentit. Dëshira për jetën është shumë e madhe, njeriu mendon se e ndjen që nuk është momenti i duhur për t’u larguar dhe ka shumë gjëra për të bërë”, tha mësuesja.
Sot, pasi e ka superuar sëmundjen, Anila ka zgjedhur të flasë hapur për përvojën e saj, duke përcjellë edhe mesazhe të rëndësishme. “Diagnostikimi i hershëm është ai që ndihmon”, apelon ajo.
Historia e saj mbetet një dëshmi se kanceri mund të mposhtet dhe se dashuria për jetën është arma më e fortë përballë çdo sfide.
Gazetare: E. Fili
/rtsh.al/