E Hënë, 2 Nëntor 2026

Silvinjo: Ndeshja me Serbinë sfidë e fortë, kam besim tek lojtarët

TIRANË, 3 tetor /ATSH/ Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit Silvinjo publikoi sot listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet e muajit tetor, sfidën kualifikuese të Kupës së Botës kundër Serbisë dhe miqësoren ndaj Jordanisë.

Në konferencën e sotme për shtyp përpara këtyre dy sfidave, Silvinjo tha se janë grumbulluar 25 lojtarë.

Trajneri foli edhe për gjendjen e Ardian Ismajlit.

“Këtë herë kemi një situatë ndryshe. Ismajli ka pasur një dëmtim para katër ditësh dhe nuk do të jetë me ekipin e tij për fundjavë. Grupi do të jetë në kontakt për të parë gjendjen e tij. Duhet të presim fundjavën për të marrë një vendim”, tha Silvinjo.

Trajneri i Kombëtares theksoi se është një moment shumë i rëndësishëm për këtë rrugëtim kualifikues.

“Kemi grumbulluar Caken, i cili ka një moshë dhe background. Nuk është një lojtar 22-23 vjeçar. Jam shumë i lumtur me listën e grumbullimit”.

Duke folur për sfidën ndaj Serbisë, Silvinjo tha se, “do të jetë një ndeshje e fortë dhe e vështirë për të dyja skuadrat. Serbia është e fortë dhe më eksperiencë. Futbolli luhet 90 minuta. Duhet të jemi të fokusuar për të bërë më të mirën. Besoj shumë tek ekipi im dhe te lojtarët, të cilëve kur u jep besim krijohet atmosferë e mirë në dhomat e zhveshjes. Jemi të përqendruar për të bërë një ndeshje të mirë”.

“Është një ndeshje e rëndësishme për të qëndruar gjallë dhe të jemi në garë për Botërorin. Nuk është ndeshje definitive, sepse kemi edhe dy ndeshje të tjera. Kjo është kryesorja momentalisht. Duhet të marrim fitoren dhe të synojmë rezultatet pozitive në ndeshjet e tjera. Janë edhe dy ndeshje të tjera. Nëse gjithçka shkon mirë, një mundësi e mirë është “play off”. Anglia duket e shkëputur dhe duhet të mendojmë vetëm për fitore ndaj Serbisë”, shtoi Silvinjo.

Silvinjo u shpreh se stafi teknik ka ndjekur Gripshin dhe se nuk ka asgjë kundër Mehmetit, i cili nuk është grumbulluar.

“Kemi edhe një ndeshje tjetër dhe mund të kemi ndryshime në listë. Nuk doja që në Serbi të shkoj me 26-27 lojtarë, preferoj 24-25. Nga eksperienca ime si lojtar, është e shëmtuar që të dërgosh lojtarë në tribunë. Gripshin e kemi ndjekur prej kohësh dhe më pëlqen shumë. Mehmetin e kam takuar, por kemi disa lojtarë që luajnë në atë pozicion. Me ekipin e tij luan në krahun e majtë. Ka qenë në fillim i grumbulluar. Nuk kam asgjë kundër tij. Është lojtar i mirë, por nuk dua 26-27 lojtarë. Jam shumë i kënaqur me lojtarët që kam grumbulluar”, tha Silvinjo.

Për mungesën e portierit Etrit Berisha, Silvinjo tha se, “portierët qe kemi marrë këtë herë, kanë treguar formë të mirë. Po përgatitemi për të ardhmen. Kemi lojtarë të rinj, të cilët grumbullohen. Jemi të kënaqur me listën që kemi bërë dhe do të përgatitemi mirë për këtë ndeshje.

Më tej, Silvinjo u shpreh se mendon vetëm për ndeshjen me Serbinë dhe jo për të ardhmen e tij.

“Kam parë ndeshjen e 11 viteve më parë dhe incidentin. Ne jemi përgatitur për një ndeshje futbolli. Kam grumbulluar 25 lojtarë, në mënyrë që të jemi më të përqendruar. Kemi 5-6 ditë me ekipin, ku do të ketë hapësirë për të punuar me lojtarët”, tha ai.

“Ne do të jemi të përqendruar te Serbia. Nuk është momenti i duhur për të menduar për të ardhmen. Nuk duam të harxhojmë energji me detaje të tjera. Ndeshja me Serbinë është shumë e rëndësishme”, theksoi Silvinjo.

/gj.m/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›