Federata Serbe e Futbollit: Ndeshja me Shqipërinë shumë e rrezikshme, nuk do të shitet asnjë biletë

TIRANË, 3 tetor /ATSH/ Federata Serbe e Futbollit ka vendosur që për ndeshjen kundër Shqipërisë e cila luhet në Leskovac më 11 tetor dhe vlen për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026, të mos nxjerrë në shitje asnjë biletë për tifozët e vet.
Në njoftimin e Federatë Serbe të Futbollit, thuhet se nv përputhje me vlerësimin e FIFA-s, udhëzimet e Ministrisë së Brendshme të Republikës së Serbisë, konsultimet me UEFA-n dhe, mbi të gjitha, përvojën e keqe nga ndeshja e mëparshme që u ndërpre në vitin 2014, dhe për shkak të kësaj ekipi mbeti jashtë Europianit, Komiteti për Çështje Urgjente i FSS-së mori vendimin se për duelin e ardhshëm midis Serbisë dhe Shqipërisë, i cili do të luhet më 11 tetor në stadiumin ‘Dubočica’ në Leskovc, nuk do të ketë bileta në shitje”.
Sipas FSS-së, pPjesëmarrja në tribuna do të sigurohet me shpërndarjen e biletave për komunitetin e futbollit përmes shpërndarjes nga zyrat rajonale të Federatës së Futbollit tek klubet, studentët e shkollave të futbollit dhe prindërit e tyre, organizatat profesionale dhe shoqatat e futbollit, sponsorët zyrtarë dhe të ftuarit e FSS-së, përfaqësuesit e akredituar të medias, si dhe ekipet mjekësore dhe të tjera grupe të nevojshme për zhvillimin e ndeshjes.
Sipas deklaratës së plotë të Federatës Serbe të Futbollit, “hyrja në stadium do të lejohet vetëm me bileta të personalizuara në mënyrë strikte dhe me inspektimin e një dokumenti identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë), si dhe kontrolle të rrepta sigurie në hyrje, në përputhje të plotë me standardet më të larta të sigurisë”.
“I kujtojmë publikut se në tetor 2014, ndeshja midis Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd u ndërpre, gjë që çoi në pasoja të rënda për ekipin tonë kombëtar, përfshirë humbjen e kualifikimit në Kampionatin Evropian 2016 në Francë. Pikërisht për këtë arsye, Federata e Futbollit e Serbisë, së bashku me UEFA-n, FIFA-n dhe të gjitha institucionet e tjera kompetente, ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për të siguruar sigurinë maksimale dhe zhvillimin e rregullt të ndeshjes”, vijon njoftimi.
“Ju kujtojmë se dueli midis Serbisë dhe Shqipërisë u shpall nga të gjitha institucionet kompetente – FIFA, Ministria e Brendshme e Republikës së Serbisë dhe Federata e Futbollit të Serbisë – si një ndeshje me rrezikun më të lartë të sigurisë. Sidomos për këtë rast, FIFA po dërgon deri në dy oficerë sigurie në Leskovac, dhe nuk do të ketë tifozë miq në tribuna, në përputhje me udhëzimet e sigurisë dhe me qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurisë së të gjithë pjesëmarrësve në këtë ngjarje”, theksohet në të.
“Federata e Futbollit e Serbisë u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve që me sjelljen e tyre të kontribuojnë në një mjedis të drejtë dhe sportiv, në mënyrë që kombëtarja serbe të ketë kushtet për të arritur rezultatin më të mirë të mundshëm në fushë ”, thuhet në njoftimin e FSS-së.

/e.i/j.p/