Silvinjo para sfidës me Ukrainën: Shqipëria në rritje, nuk e shoh si miqësore

TIRANË, 30 mars /ATSH/ Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo deklaroi sot se Shqipëria është në proces rritjeje dhe se skuadra do ta trajtojë me seriozitet maksimal përballjen ndaj Ukrainës, pavarësisht se cilësohet si ndeshje miqësore.
Në konferencën për shtyp para miqësores së nesërme me Ukrainën në Valencia, tekniku kuqezi theksoi se pret një përballje të fortë dhe të vështirë, duke vlerësuar cilësitë e kundërshtarit.
“Presim një ndeshje ndryshe, të fortë dhe të vështirë. Ukraina ka lojtarë me eksperiencë, por edhe ne kemi futbollistë që kanë dëshirë të tregojnë më të mirën me kombëtaren”, u shpreh ai.
Silvinjo nënvizoi se nuk e konsideron këtë takim thjesht si miqësor, por si një mundësi për të konsoliduar grupin dhe për të marrë maksimumin nga skuadra.
“Unë nuk besoj në ndeshje miqësore. Kur futemi në fushë, japim maksimumin. Mund të ketë 2-3 ndryshime nga ndeshja e parë, por është e rëndësishme organizimi i skuadrës”, tha ai.
Duke iu referuar humbjes ndaj Polonisë në fazën “play-off”, trajneri pranoi se rezultati ka ndikuar, por theksoi se nuk duhet parë si dështim total.
“Kur humbet, duket sikur gjithçka ka shkuar keq, por nuk është kështu. Kemi një ndeshje shumë të rëndësishme përpara dhe duhet të reagojmë”, u shpreh ai.
Ndeshja miqësore Ukrainë–Shqipëri do të luhet më 31 mars, në orën 20:45.
/gj.m/j.p/r.e/