E Diel, 1 Nëntor 2026

Sistemi dual në shkollat profesionale, ndërthur mësimin teorik me praktikën në biznese lokale

Në shkollën profesionale “Hamdi Bushati” në Shkodër, për të dytin vit radhazi po zbatohet me sukses sistemi dual i arsimit, që ndërthur mësimin teorik me praktikën në biznese lokale. Zëvendësdrejtorja e shkollës, Enkelejda Laçej, tregon mbi përfitimet që nxënësit marrin nga ky sistem.

 “Klasat e 11-ta fillojnë prakltikat afatgjata në biznes dhe shumë nxënës punësohen që në klasë të 11-të”, tha Laçej.

Nxënësit kanë mundësi të përfitojnë njohuri të drejtpërdrejta në ambiente pune, duke u përgatitur më mirë për tregun e punës. Krahas pagës minimale ato mësojnë më shumë mbi rekrutimet, përgatitjet e dosjeve duke u zgjeruar si profesionistë në tregjet e huaja.

“Nxënësit punësohen sipas rregullave të punës, rregullave të rekrutimit. Përveç anës profesionale të zanatit, nxënësit mësojnë shumë mirë edhe rregullat e rekrutimit në tregun e punës, gjë që i përgatit për një treg global pune”, theksoi Laçej.

Ky model, synon të forcojë lidhjen mes arsimit profesional dhe nevojave reale të ekonomisë lokale. Përmes praktikave në biznese, të rinjtë fitojnë eksperiencë, zhvillojnë aftësi teknike dhe përgatiten për punësim të menjëhershëm pas përfundimit të studimeve. Drejtuesit e shkollës theksojnë se interesi i nxënësve për drejtimet profesionale është rritur ndjeshëm, ndërsa gjithnjë e më shumë subjekte private po bashkëpunojnë për ofrimin e praktikave cilësore.

Gazetare: M. Gjoni

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›