E Diel, 1 Nëntor 2026

Shegët kërkojnë treg dhe jashtë – Prodhimi më i lartë se konsumi i brendshëm

Tokat e Fishtës në Blinisht të Lezhës janë kthyer në plantacione me shege. Ky frut është kultivuar masivisht në këtë fshat, por problem mbetet mungesa e tregut. Këtë vit prodhimi është i bollshëm, por sheget po kalben pa u vjelë, pasi nisja e shirave po ndikon negativisht në këtë drejtim.

Fermeri, Pashk Prenga u shpreh për RTSH se, “Prodhimi ishte i bollshëm, por faktori kohë po na i prish prodhimin dhe po çahen. Tregu është shumë i dobët dhe këtu po vijnë dhe i marrin nga Tirana dhe zona përreth. Këtu për 5-6 ditë i gjithë prodhimi do bjerë në tokë. Mbi 100 kuintal mua më ikën poshtë. Sot pesë ditë unë s’e kam një kokërr.”

“Tregu nuk është i sigurt. Të gjithë tregtarët që vijnë dhe shikojnë prodhimin e shikojnë me një çmim që ne nuk na del leverdia për ta shitur, sepse është shumë nën kosto,” shprehet fermeri Zef Fuga.

Në prodhimin e bollshëm, sipas vetë fermerëve të cilët janë mirënjohës, është investimi i bashkisë për kanalin vaditës, ndërsa si ata, edhe specialistët si zgjidhje që prodhimi të mos shkojë dëm, shohin ngritjen e pikave të grumbullimit dhe eksportin e këtij produkti jashtë vendit.

Specialisti i bujqësisë Preng Marku theksoi se “Ndihma e shtetit konsiston në grumbullimin e prodhimit. Sepse prodhuesi merret vetëm me prodhimin, ndërsa pjesa tjetër që kanë të bëjnë me grumbullimin, përpunimin, tregtimin dhe eksportin janë pjesë e strukturës shtetërore që merren me këtë punë dhe që varen nga Ministria e Bujqësisë.”

Në Fishtë janë kultivuar rreth 10 hektarë tokë me frutikulturën e shegës, ndërsa çmimi varion nga 80 deri në 120 lekë për kilogram.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›