E Diel, 1 Nëntor 2026

Skema Kombëtare 2026, ministri Salla: Blegtoria prioritet, por mbështetja financiare vetëm me standarde sigurie

Sektori i blegtorisë do të ketë një vëmendje të shtuar në Skemën Kombëtare të Mbështetjes për vitin 2026. Ky ishte mesazhi kryesor që Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, përcolli gjatë një bashkëbisedimi të hapur me blegtorë dhe prodhues të qumështit e mishit.

Qëllimi i takimit ishte dëgjimi i sfidave reale me të cilat përballet ky sektor në terren, për t’i reflektuar ato në politikat e reja subvencionuese. Ministri theksoi se mbështetja financiare nuk do të jetë thjesht shpërndarje fondesh, por një mekanizëm i orientuar nga nevojat konkrete, brenda hapësirave buxhetore dhe me rregulla loje të qarta.

Megjithatë, Salla bëri të qartë se fondet do të jenë të kushtëzuara. Në një reagim në rrjetet sociale pas takimit, ai nënvizoi se siguria ushqimore mbetet vija e kuqe e pakalueshme.

“Mbështetja do të shoqërohet me standarde të panegociueshme të sigurisë dhe cilësisë ushqimore,” shkruan Salla.

Sipas kreut të Bujqësisë, ky kushtëzim ka dy qëllime madhore: formalizimin e sektorit dhe rritjen e besimit të konsumatorit.

“Forcimi i sektorit duhet të ecë krah për krah me rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve #MadeinAlbania në treg,” përfundoi ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›