Skema Kombëtare, mbështetje 203 aplikimeve për ferma organike

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Bujqësia organike në Shqipëri po zhvillohet gjithmonë e më tepër, duke sjellë jo vetëm produkte cilësore në treg, por edhe fitime më të larta për fermerët.
Fermat me prodhim organik kanë mundësi të drejtpërdrejtë për rritjen e eksporteve në tregjet e BE dhe më gjerë, duke mundësuar rritjen e konkurrueshmërisë dhe modernizimin e sektorit.
Sipas të dhënave nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, në Skemën Kombëtare të mbështetjes për Bujqësinë 2025 janë shpallur përfitues me subvencione 203 fermerë për zhvillimin e fermave organike.
Sipas kritereve që ka miratuar qeveria për subvencionet në bujqësinë organike bizneset e kësaj linje përfitojnë mbështetje për ngritjen ose rikonstruksionin e ambienteve të prodhimit të produkteve tradicionale të zonës.
Fermat organike, për vitin e parë, përfitojnë financim në vlerën 100 000 lekë, në vitin e dytë, 150 000 lekë dhe 200 000 lekë për fermë të certifikuar.
/r.e/