Skema e Investimeve, 50% grant për ndërtimin e stabilimenteve të rritjes së shpendëve

TIRANË, 8 gusht /ATSH/ Fermerët që mbarështojnë kafshë dhe shpendë kanë tashmë një mundësi shumë të mirë për të përmirësuar infrastrukturën e fermave të tyre, përmes Skemës Kombëtare të Investimeve 2025, e cila ofron deri në 50% grant për ndërtimin e ambienteve të reja.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj tha se, skema synon të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor dhe blegtoral, duke garantuar kushte më të mira për mirëqenien e kafshëve dhe sigurinë ushqimore.
Kriteret minimale për përfitimin e financimit, janë për ndërtimin e fermave me: Jo më pak se 10 lopë; jo më pak se 100 krerë të imta (dele/dhi); jo më pak se 10 dosa dhe jo më pak se 10 000 shpendë.
Mbështetja financiare për subjektet përfituese përfshin: 50% të vlerës totale të faturave tatimore që shkon deri në 15 milionë lekë për subjekt.
Fermerët kanë gjithashtu mundësinë të kombinojnë këtë mbështetje me Kredinë e Butë, që ofrohet me interes fiks vetëm 2% dhe Garanci sovrane që mbulon 70% të kolateralit.
“Kjo formulë e re e financimit krijon mundësi reale për të mbuluar 100% të investimit, duke i dhënë hov zhvillimit rural dhe shtimit të prodhimit vendas”, theksoi Denaj.
Afati për aplikim është deri më 30 shtator 2025, pranë zyrave të AZHBR (Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural), dhe përfshin 9 masa mbështetëse në total për sektorin bujqësor.
Ministrja Denaj e cilësoi Skemën Kombëtare të Investimeve 2025, një hap më pranë bujqësisë moderne dhe të qëndrueshme.
/r.e/