Skender Hita e nis me dorë të rrepte, mesazh te prerë: ndëshkim për çdo efektiv të përfshirë në paligjshmëri

Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra shtatë punonjës të Policisë, për moszbatim haptazi të detyrave funksionale, në lidhje me rastin e kultivimit të bimëve narkotike në dy ambiente të mbyllura në fshatin Kurtaj, Peqin, më 19 mars 2026.
Hetimet dhe veprimet procedurale në vendngjarje u kryen me porosi të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, me qëllim përcaktimin e përgjegjësisë ligjore për këtë rast.
Drejtoria e Standardeve Profesionale nisi hetim disiplinor sipas nenit 121, pika 1, germa “i” të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, për punonjësit e mëposhtëm:
- Komisar Altin Gusho – Shef i Komisariatit të Policisë Peqin
- Komisar Danjel Kacaniku – Shef i Krimeve në Volum, Komisariati Peqin
- Nënkomisar Sefer Dushku – Specialist i Policisë Kriminale, Komisariati Peqin
- Inspektor Muharrem Zylyfi – Specialist i Policimit në Komunitet, Komisariati Peqin
- Nënkomisar Bilbil Lita – Ish-shef i Komisariatit të Policisë Peqin, aktualisht Shef i Komisariatit të Policisë Devoll
- Komisar Denis Sinani – Ish-shef i Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Peqin, aktualisht Shef i Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Devoll
- Inspektor Arben Koseni – Ish-ndihmësspecialist për Policinë Kriminale (agjent) në Komisariatin e Policisë Peqin, aktualisht në Njësinë e Pritjes dhe Sigurisë, Gjadër
Masat u njoftuan personalisht nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, gjatë një mbledhjeje në DPPSH me gjithë drejtorët vendorë dhe ata të Kufirit. Drejtori Hita kërkoi nga të gjithë drejtorët masa të menjëhershme për të luftuar kultivimin e kanabisit dhe qëndrim të rreptë ndaj çdo punonjësi që nuk përmbush detyrën ose bashkëpunon me veprimtaritë kriminale.
Pezullimi disiplinor u bë bazuar në nenin 163, pika 3, germa “a”, të Rregullores së Policisë së Shtetit, miratuar me VKM nr. 112, datë 24.02.2025, për mangësi të konstatuara gjatë përmbushjes së detyrës.
Policia e Shtetit thekson se mbetet e vendosur për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, si dhe për ndëshkimin e çdo punonjësi që nuk përmbush detyrat funksionale ose bashkëpunon me autorët e veprimtarisë kriminale.