E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot fillon rinumërimi i votave për kandidatë në 10 komuna

PRISHTINË, 13 janar /ATSh/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka vendosur që të rinumërohen të gjitha votat për kandidatë në 10 komuna.

Rinumërimi i të gjitha vendvotimeve do të bëhet në Prizren, Ferizaj, Shtime, Skënderaj, Shtime, Vushtrri, Dragash, Mamushë, Kaçanik, Leposaviç dhe Ranillug. Një gjë e tillë u rekomandua sot në mbledhjen e KQZ-së, ku anëtari i LVV-së, Alban Krasniqi tha se Këshilli për Operacione Zgjedhore ka pranuar një raport sot nga sekretariati, në të cilin paraqitet kronologjia e një procesi që ka të bëjë me verifikimin e votave të numëruara.

“Janë gjetur mospërputhje në disa prej kutive të votimit të votave për kandidatët. Këshilli për Operacione Zgjedhore unanimisht ka kërkuar nga sekretariati që të të bëjë një verifikim të brendshëm të fletëvotimeve, me gjithsejë 52 vendvotime në 38 komuna. Dhe më pas me datën 12, sekretariati ka filluar të bëjë këtë verifikim, ku gjithsejtë janë numëruar 33 vendvotime, janë verifikuar votat e kandidatëve në këto vendvotime dhe në bazë të të gjeturave ka rekomanduar tek Këshilli për Operacione Zgjedhore rinumërimin e 10 për qind të kutive të vendvotimeve në të gjithë Kosovën, kurse për 10 komuna ka rekomanduar numërimin e 100% të kutive”, ka thënë ai.

Më tej, Krasniqi theksoi se në dhjetë komuna do të bëhet rinumërimi i tërësishëm, ndërkaq në komunat tjera do të rinumërohen votat e kandidatëve në dhjetë për qind të kutive të votimit.

“Në bazë të atij procesi të verifikimit të rezultateve ka dalur një shmangie që për ne ka qenë shqetësuese, ka pasur deri në 714 vota për kandidatë që ka ndryshuar gjatë verifikimit në secilën komunë të vetëm dy subjekteve, por ka pasur në të gjitha komunat shmangie. Disa prej tyre janë normale se janë brenda kuadrit të gabimeve njerëzore. Por për ne ka qenë shqetësuese që në disa komuna kemi vërejtur një trend jo normal.

“Prandaj për të siguruar transparencë dhe saktësi të procesit të numërimit që kanë ndodhur në qendrat komunale të numërimit, Këshilli për Operacione Zgjedhore i rekomandon KQZ-së që të miratojë rekomandimin tonë edhe nga sekretariati që në 10 komuna të bëhet rinumërimi i kutive të gjitha vendvotimet e këtyre komunave. Kurse në komunat tjera të bëhet deri në dhjetë për qind të kutive të votimit”, ka thënë ai.

Ky vendim i KQZ-së erdhi pas paraqitjes së një raporti nga verifikimi i votave të kandidatëve për 2% të vendvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 28 dhjetor 2025.

Anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi tha se mbështesin këtë propozim dhe se është shqetësuese që po ndodhë një gjë e tillë.

“Mbështesim këtë propozim për faktin se qëllimi ynë i vetëm i të gjithë neve këtu është që të pasqyrojmë saktë vullnetin e secilit qytetar. Dhe kemi obligim që të marrim të gjitha masat e duhura në mënyrë që vota e secilit qytetar të pasqyrohet saktë dhe drejtë… Ajo çfarë më shqetëson është se kjo po përsëritet në çdo palë zgjedhje, dhe pavarësisht masave që ne pavarësisht që gjithmonë kemi tentuar të marrim masa simbolike në proces zgjedhor, prapë se prapë po ndodhin gjëra të tilla. Është ndoshta momenti i fundit të mendohet seriozisht se cili do të jetë plani ynë në mënyrë që të evitohet diçka të tillë”, tha Gashi.

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi tha se nëse vërtetohet që ka pasur manipulime do të iniciohen raste në prokurori.

“Nëse pas rinumërimit konstatohet se janë manipuluar votat e kandidatëve brenda partive, të gjithë do të ketë fletëparaqitje penale në prokurori për të gjithë ata që kanë numëruar dhe kanë bërë këto manipulime. Por kjo do të vendoset pasi që të përfundojë rinumërimi”, tha ai.

Drejtori i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Besnik Buzhala bëri të ditur se rinumërimi i këtyre vendvotimeve do të fillojë sonte në orën 18:99.

“Bëhet fjalë për rinumërimin e 914 kutive të votimit, vendvotimeve, që shprehur në përqindje i bie 36 për qind të vendvotimeve që do të rinumërohet. Rinumërimi do të fillojë sonte në orën 18:00 dhe ne do t’i njoftojmë edhe vëzhguesit e subjekteve politike që të kenë mundësi të vëzhgojnë këtë proces. Do të numërohet gjithsejtë në 23 tavolina të cilat i kemi funksionalizuar sot”, ka përfunduar ai.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë u mbajtën më 28 dhjetor 2025.

/KosovaPress//r.e/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›