E Martë, 3 Nëntor 2026

Sot tentativa e 22-të për konstituim të Kuvendit të Kosovës

PRISHTINË, 27 maj /ATSH/ Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen edhe sot për një tentim të radhës për konstituim të Kuvendit të Kosovës. Kjo është përpjekja e 22-të me radhë që prej 15-të prillit kur ka filluar seanca konstituive.

Në seancat paraprake, nuk pati kuorum për vendimmarrjen mbi komisionin për votimin e fshehtë. Propozimi – për disa herë me radhë – i kryesuesit të seancës, Avni Dehari, që procesi i votimit të bëhet në mënyrë të fshehtë, nuk po merr përkrahje nga partitë e tjera parlamentare.

Nga Lëvizja Vetëvendosje, kanë propozuar edhe që vazhdimet e seancave të mos bëhen çdo 48 orë – siç e kërkon rregullorja e Kuvendit, por të bëhen një herë në javë.

Çështja e konstituimit të legjislaturës së nëntë ka ngecur te votimi i kryetarit të Kuvendit pasi partia e parë e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje – në koalicion me Guxo dhe Alternativa nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për të zgjedhur Albulena Haxhiun kryeparlamentare.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë kërkuar ndërrim të kandidatit të propozuar ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur kundër çdo propozimi të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në përpjekje për të zhbllokuar situatën, më 15 maj, presidentja Vjosa Osmani takoi përfaqësuesit e partive politike, por as aty nuk pati pajtim për konstituim të Kuvendit.

Thirrje për dalje nga ngërçi ka bërë edhe faktori ndërkombëtar.

Vetë shefja e diplomacisë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, më 22 maj, u bëri thirrje politikanëve që janë në Kuvend që të bashkëpunojnë për të zhbllokuar situatën.

Në një konferencë për media në Prishtinë, Kallas kujtoi se formimi i institucioneve të reja është “thelbësor për stabilitetin dhe të ardhmen evropiane të Kosovës”.

/Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›