E Diel, 1 Nëntor 2026

Spaçi në kujtesën digjitale, platforma krijon mundësi për t’u njohur me historinë e kampit famëkeq

Spaçi nuk ishte thjesht një burg, ishte një vend ku regjimi përpiqej të shkatërronte shpirtin e njeriut. Por aty lindi edhe një nga dritat më të fuqishme të lirisë: revolta e majit të vitit 1973. Nën këto kujtime, ish-i dënuari politik Lek Mirakaj riktheu sot përjetimet e tij nga burgjet e diktaturës.

Mirakaj, veç ndjesive të asaj periudhe, ka edhe një kërkesë për të gjithë të mbijetuarit që janë ende gjallë.

“Jemi shumë pak që kemi mbetur gjallë. Kërkojmë nga shteti një përkujdesje më dinjitoze, kërkojmë një pension specifik për ne që kemi vuajtur në atë periudhë, njësoj si pensioni që marrin ata kriminelë që na kanë bërë të përjetojmë ato vuajtje”, u shpreh Mirakj.

Po ashtu, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit prezantoi sot krijimin e një platforme digjitale. Një arkivë moderne që dokumenton historinë e kampit të Spaçit dhe të burgosurve politikë, nëpërmjet dokumenteve zyrtare, dëshmive gojore, hartave, intervistave dhe materialeve edukative.

“Kjo nismë është një hap i rëndësishëm drejt edukimit qytetar dhe ruajtjes së kujtesës kolektive, duke përdorur mjetet moderne të teknologjisë për të dokumentuar dhe shpërndarë historinë. Faqja përmban: lista të të dënuarve politikë dhe histori personale; dokumente arkivore dhe dëshmi të kohës; informacion mbi Revoltën e Spaçit dhe protestat në kamp; materiale për të zhdukurit dhe ekspozita përkujtimore.”, tha Gentjana Sula, Kryeatre e AIDSSH.

Kjo faqe, e cila është e aksesueshme nga çdokush, është konceptuar si një mjet ndërgjegjësimi dhe edukimi për brezat e rinj, duke sjellë të shkuarën në gjuhën e teknologjisë së sotme.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›