E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Spahiu: Do të ngrihet Këshilli Kombëtar i të Moshuarve, synohet zgjerimi i shërbimeve sociale dhe shëndetësore

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale synon të zgjerojë shërbimet shëndetësore dhe sociale për të moshuarit, si dhe të rrisë përfshirjen e tyre në proceset vendimmarrëse.

Gjatë Konferencës Kombëtare mbi Moshimin Aktiv dhe Gjithëpërfshirës, ministrja Klodiana Spahiu bëri të ditur se në kuadër të Planit Kombëtar të Veprimit për Moshimin 2025–2030 parashikohet ngritja e Këshillit Kombëtar të të Moshuarve.

Sipas ministres, ky mekanizëm synon të mundësojë përfaqësimin e të moshuarve dhe përcjelljen e nevojave e shqetësimeve të tyre në proceset e hartimit të politikave.

“Ne kemi një plan kombëtar veprimi për moshimin, i cili është plani i dytë dhe që vjen me sfida të reja. Plani 2025–2030 është shumë më ambicioz. Synojmë politika mbështetëse jo vetëm në aspektin mjekësor, por edhe në atë shoqëror e social. Një nga hapat më të rëndësishëm do të jetë ngritja e Këshillit Kombëtar të të Moshuarve, sepse është thelbësore që zëri i tyre të dëgjohet. Vetëm duke dëgjuar nevojat dhe shqetësimet e tyre mund të ndërtojmë politika që u përgjigjen realisht atyre”, u shpreh Spahiu.

Një tjetër shërbim i përmendur nga ministrja është edhe Linja Falas e Këshillimit për të Moshuarit, e cila ofron informacion dhe orientim, veçanërisht për personat që jetojnë në zona të largëta.

Sa i përket shërbimeve sociale, Spahiu bëri të ditur se përmes Fondit Social janë mbështetur 98 shërbime të reja, nga të cilat 25 janë për të moshuarit. Ndërkohë, Buxheti 2027 synon të sigurojë vijimësinë e financimit të këtyre shërbimeve.

Në fushën e shëndetësisë, një tjetër masë është zgjerimi i programit të kontrollit mjekësor falas, përmes heqjes së kufirit të sipërm të moshës, duke përfshirë edhe të moshuarit.

Ministrja njoftoi gjithashtu ngritjen e shërbimit të Geriatrisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe punën për shtrirjen e këtij shërbimi në katër spitale bashkiake.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›