Çelet panairi “Klik Ekspo Group”, “Concord Group” prezantohet me dy projekte: Marina Orikum dhe Tirana Central Park

Biznese, shoqata dhe investitorë vendas e të huaj u bënë bashkë në Pallatin e Kongreseve për të marrë pjesë në edicionin e 32-të të panairit Klik Expo Group.
Panairi shërben si një hapësirë për shkëmbimin e ideve dhe eksperiencave, por edhe për të promovuar klimën e investimeve në Shqipëri. Në këtë edicion, vizitorët dhe investitorët patën mundësinë të njihen me një gamë të gjerë sektorësh ku mund të investohet, ndërsa aktiviteti u shoqërua edhe me fjalime nga ministrat e dikastereve që mbulojnë fusha si infrastruktura, energjia dhe bujqësia.
“Ministria e Infrastrukturës përfaqësohet me disa agjenci shumë të rëndësishme, sidomos në sektorin e energjisë. Sot ne gjendemi përballë një sektori që është shumë herë më i disiplinuar, me humbje të ulëta, me kapacitete të reja prodhuese dhe një treg të mirëorganizuar. Normalisht që unë do të marketoja sektorin e energjisë dhe investitorët e huaj ndihen shumë mirë që të investojnë në një sektor ku humbjet janë në nivele edhe më të ulëta, për shkak të punës së bërë”, tha ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi.
Edhe bujqësia mbetet një sektor me interes për investitorët, ndërsa bizneset në vend po përgatiten për sfidat dhe mundësitë që sjell integrimi në tregun e përbashkët europian.
Reklamë
“Të gjitha këto masa lidhen me objektivin tonë strategjik, atë të integrimit në Bashkimin Europian. Anëtarësimi do t’i hapë dyert prodhuesve shqiptarë në një treg prej 450 milionë konsumatorësh. Për këtë po punojmë në përafrimin e legjislacionit, në mënyrë që produktet tona të jenë konkurruese”, tha ministri i Bujqësisë, Andis Salla.
Përveç energjisë dhe bujqësisë, një tjetër sektor kyç i ekonomisë shqiptare, ku investimet e huaja po shtohen, është ai i pasurive të paluajtshme. Pikërisht në këtë fushë, Concord Group u prezantua me dy projekte të rëndësishme, të cilat tërhoqën vëmendjen e të pranishmëve.
Marina Orikum dhe Tirana Central Park janë dy prej projekteve në fazë ndërtimi, që synojnë të sjellin një zhvillim të ri në tregun e pasurive të paluajtshme, duke nxitur turizmin përmes bashkëpunimit me marka prestigjioze të hotelerisë në Vlorë, si dhe duke krijuar një klimë më të favorshme për investime.
Panairi Klik Ekspo Group, me media partner Viziojn Plus, do të qëndrojë i hapur deri në datën 6 nëntor