Udhëzim i ri për punësimin e mjekëve, përcaktohen rregullat dhe afatet e aplikimit - ATSH -
TIRANË, 4 nëntor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu ka miratuar ndryshime në procedurat e punësimit, emërimit, pezullimit, lirimit dhe disiplinës së mjekëve në institucionet shëndetësore publike përmes platformës elektronike “Mjek për Shqipërinë”.
Një nga ndryshimet kryesore të këtij Udhëzimi publikuar në Fletoren Zyrtare lidhet me afatet e aplikimit për vendet e lira të punës në institucionet pubike shëndetësore.
Sipas udhëzimit të ri, për mjekët specialistë dhe stomatologët afati i aplikimit në portal do të jetë jo më pak se shtatë ditë kalendarike nga data e shpalljes së vendit vakant. Për mjekët e përgjithshëm dhe mjekët e familjes, aplikimi në platformë do të jetë i vazhdueshëm.
Udhëzimi i firmosur nga ministrja Spahiu përcakton gjithashtu kufizime për pjesëmarrjen në procedurat e konkurrimit. Kandidatët që rezultojnë të punësuar në një institucion shëndetësor publik nuk do të kenë të drejtë të aplikojnë dhe të marrin pjesë në konkurrim përmes platformës “Mjek për Shqipërinë”.
Nga ky rregull janë përjashtuar mjekët specialistë të punësuar në institucionet publike shëndetësore. Ata mund të aplikojnë për pozicione të lira në spitalet rajonale ose bashkiake, në rast se nuk kanë një kontratë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Udhëzimi i ri ka parashikuar ndryshime edhe sa i përket organizimit dhe përbërjes së Komisioneve të Vlerësimit. Këto komisione do të përbëhen nga tre anëtarë dhe do të krijohen në varësi të institucionit dhe pozicionit për të cilin zhvillohet konkurrimi.
DQOSHKSH-ja do të krijojë komisione ad hoc për vlerësimin e kandidatëve për pozicionet e mjekëve specialistë në spitalet rajonale, bashkiake dhe ditore, si dhe në NJVKSH dhe qendrat shëndetësore.
Po ashtu, për çdo rajon do të krijohet një komision i posaçëm për vlerësimin e kandidatëve për pozicionet e mjekut të familjes dhe mjekut të përgjithshëm. Përbërja e këtij komisioni do të ndryshohet periodikisht, të paktën një herë në vit.
Ndërkohë, për spitalet universitare, spitalet terciare dhe institucionet qendrore në varësi të MSHMS-së, komisionet ad hoc do të krijohen nga titullarët e institucioneve përkatëse.
Një tjetër risi e këtij Udhëzimi lidhet me përcaktimin e përgjegjësive të njësive të burimeve njerëzore, të cilat do të ushtrojnë funksionet e Sekretariatit Teknik të platformës “Mjek për Shqipërinë”.
Në këtë kuadër, këto njësi do të administrojnë dosjet e aplikantëve, do të kryejnë verifikimin paraprak të dokumentacionit, do t’i vënë në dispozicion komisioneve listën e kandidatëve dhe informacionin përkatës, si dhe do të njoftojnë kandidatët për kualifikimin ose moskualifikimin, duke specifikuar arsyet në rastet e përjashtimit nga konkurrimi.
Gjithashtu, Sekretariati Teknik do të administrojë ankesat, do t’ia paraqesë ato Komisionit të Vlerësimit për shqyrtim dhe do të përcjellë vendimin përfundimtar për renditjen e kandidatëve sipas pikëve të marra në secilën fazë të vlerësimit.
Ndryshime janë bërë edhe për procedurën e pezullimit të mjekëve nga detyra.
Në Udhëzim saktësohet se procedura, kohëzgjatja dhe pasojat financiare të pezullimit do të përcaktohen në përputhje me legjislacionin në fuqi që rregullon marrëdhënien e punës dhe ushtrimin e profesionit të mjekut, sipas rastit.
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
