Spiropali: Forcojmë kriteret profesionale në shërbimin diplomatik

TIRANË, 19 shkurt /ATSh/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali u shpreh sot në seancën parlamentare në Kuvend, se projektligji për shërbimin e jashtëm në Republikën e Shqipërisë rregullon fushën e kompetencave mes institucioneve të këtij shërbimi.
Në përgjigje të deputetit të partisë “Mundësia”, Erald Kapri, i cili u shpreh në Kuvend se ky projektligj është paraqitur si reformë e thellë, por sipas tij, 90% e emërimeve në diplomacinë shqiptare janë nepotike, Spiropali tha se ky ligj rregullon mandatin e kreut të misionit diplomatik edhe të postit konsullor, si edhe të personelit diplomatik.
Sipas Spiropalit, projektligji për shërbimin diplomatik forcon kriteret profesionale dhe ato për diplomatët e karrierës bazuar në nivelet e tyre akademike.
“Për herë të parë fusim konceptin e krijimit të akademisë diplomatike si institucion varësie që do të merret me rritjen profesionale të diplomatëve brenda ministrisë së jashtme. Ky ligj përcakton më qartë përfshirjen e misioneve diplomatike dhe konsullore jashtë karrierës diplomatike. Vetëm 25% e diplomatëve janë jashtë sistemit të karrierës, pra diplomatë jo të karrierës. Projektligji mundëson pranimin në shërbimin e jashtëm të shtetasve me përvojë në organizatat e jashtme, siguron verifikimin e pastërtisë së personelit të jashtëm, për bashkëpunëtorët, për ata që nuk marrin dot certifikatë sigurie”, tha Spiropali.
Ministrja Spiropali deklaroi se kjo krijon një situatë shumë më racionale edhe në çështjen e gradave që jepen në shërbimin diplomatik dhe forcon kriteret dhe afatet.
“Prezantohet për herë të parë edhe komisioni i apelimit që jep mundësinë për të shqyrtuar ankesat, mundëson vijimësinë e statusit të diplomatit etj. Do të ketë kompensim financiar për poste konsullore, shërbime diplomatike në kushte të vështira. Ne sot nuk e kemi këtë mundësi që t’i trajtojmë diplomatët tanë”, deklaroi Spiropali. /e.i/j.p/