UASHINGTON – Ambasadori i SHBA-së në OKB, Waltz vlerëson përmirësimin e ndihmës humanitare për Gazën

UASHINGTON, 19 shkurt /ATSH/- Ambasadori i SHBA-së në OKB, Mike Waltz, ndau sot në takimin e parë të Bordit te Paqes, statistikat rreth rritjes së ndihmës humanitare për Gazën, sipas “NBC News”.
Sipas të dhënave zyrtare raportohet se:
- 4,200 kamionë ndihmash kanë hyrë në Gaza çdo javë për 13 javë rresht
- Përqindja e familjeve që përjetojnë uri të madhe ra nga rreth 30% në 1%
- Qasja në ujin e pijshëm është dyfishuar
- Kequshqyerja e fëmijëve është përgjysmuar
Pjesëmarrësit në takimin e Bordit të Paqes janë mbledhur sot në Institutin Amerikan të Paqes.
Takimi filloi me një foto të të pranishmëve, ku presidenti amerikan, Donald Trump ishte i shoqëruar nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, shefja e stafit të Shtëpisë së Bardhë Susie Wiles, zëvendëspresidenti JD Vance dhe dhëndri i Trump, Jared Kushner, një anëtar i bordit ekzekutiv të organizatës.
Trump bëri një shaka ndërsa të gjithë pjesëmarresit pozuan, duke pyetur nëse të tjerët po e shijonin muzikën që luhej në sfond.
Ndërsa pjesëmarrësit, përfshirë udhëheqës të huaj dhe zyrtarë të administratës Trump, zunë vendet e tyre pas podiumit, disave iu dhanë kapele të kuqe në stilin MAGA me mbishkrimin “SHBA” me shkronja të mëdha të bardha.
Trump ka hapur takimin me një fjalim drejtuar pjesëmarrësve, të cilët po mblidhen për t’u përqendruar në të ardhmen e Gazës. Përfaqësues të dhjetëra vendeve pritet të marrin pjesë në program.
Në fjalën e tij hapëse, Trump tha se Bordi i Paqes ishte një nga gjërat më të rëndësishme dhe me pasoja – në të cilat ai ka qenë i përfshirë, ndërsa vlerësoi vendet dhe udhëheqësit që po marrin pjesë. //a.i/