Spiropali: Komuniteti shqiptar në SHBA, rezonon si vlerë e shoqërisë amerikane

TIRANË, 28 shtator /ATSH/ Presidenti Bajram Begaj dhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali zhvilluan të shtunën një takim me komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Nju-Jork.
Në një postim në rrjetet sociale, ministrja Elisa Spiropali ndau foto nga takimi, duke theksuar se komuniteti shqiptar në SHBA është një vlerë e shtuar e shoqërisë amerikane.
“Zemra plot kur himni kuqezi këndohet mes shqiptarësh në SHBA!”, nënvizon Spiropali.
“Me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, në një mbrëmje të veçantë me komunitetin shqiptar në New York, që nga e shkuara e mundimshme drejt një jete me sukses e dinjitet, sot rezonon si vlerë e shoqërisë amerikane, pa u shkëputur kurrë nga rrënjët e origjinës”, përfundon reagimin e saj Spiropali.
Presidenti Begaj dhe ministrja Spiropali ishin në Nju-Jork javën e shkuar pasi morën pjesë në punimet e OKB-së.