Spiropali: Shqipëria aktor aktiv në të gjitha platformat e investimeve dhe të bashkëpunimit ekonomik

TIRANË, 10 dhjetor /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali mori pjesë sot në Forumin Ekonomik të Delfit që po zhvillohet në Tiranë.
Spiropali theksoi se, “Tirana mirëpret Forumin Ekonomik të Delfit në kohën kur Shqipëria është aktor aktiv dhe i besueshëm në marrëdhëniet bilaterale me partnerët, në forumet ndërkombëtare, në aleancat e sigurisë dhe mbrojtjes dhe në të gjitha platformat e investimeve e bashkëpunimit ekonomik për zhvillim”.
Për Shqipërinë, sipas Spiropalit, pozicioni i vetëm koherent strategjik mbetet kontributi për sigurinë, zhvillimin dhe integrimin rajonal dhe atë kontinental.
Ajo shtoi se, Shqipëria po e përdor pozicionin e saj gjeografik për të forcuar lidhjet mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian, si dhe për të zgjeruar bashkëpunimin në Adriatik e Mesdhe, veçanërisht në fushat e energjisë, infrastrukturës dhe sigurisë kibernetike.
Ministrja Spiropali theksoi se, “stabiliteti rajonal mbetet një nga shtyllat kryesore të politikës së jashtme dhe të sigurisë së Shqipërisë, duke rikujtuar mbështetjen e vendit për dialogun Kosovë-Serbi dhe rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në rajon”.
Ministrja Spiropali rikonfirmoi ambicien e Shqipërisë për të qenë një aktor dhe faktor proaktiv dhe konstruktiv në rajon.
“Qëllimi ynë është i qartë, të thellojmë bashkëpunimin me fqinjët tanë, të forcojmë hapësirën tonë të përbashkët adriatike dhe të avancojmë rajonin drejt së ardhmes europiane”, tha Spiropali.
Spiropali: Ballkani Perëndimor, jo frakturë në trupin e kontinentit, por korridor i integruar ekonomik, energjetik dhe i sigurisë
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Elisa Spiropali në Forumin e Delfit në Tiranë, u u ndal ndër të tjera në potencialin e Ballkanit Perëndimor për ekonominë dhe sigurinë e kontinentit.
Për Shqipërinë, theksoi Spiropali, politikat e jashtme dhe të sigurisë fillojnë në Ballkanin Perëndimor.
“Ballkani Perëndimor nuk është një frakturë në trupin e kontinentit, por korridor i integruar ekonomik, energjetik dhe i sigurisë”, tha Spiropali.
“Për këtë arsye ne mbështesim, ndër të tjera, dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit dhe njohjen përfundimtare dhe të pashmangshme të Kosovës. Do të heqë nga Rajoni një pllakë tektonike që palët e treta dhe ndikimet keqdashëse mund të përpiqen ta shfrytëzojnë për ta destabilizuar atë”, shtoi Spiropali.
“Në vitet e fundit, siç e dini, Tirana priti Samitin historik BE-Ballkani Perëndimor dhe më pas Samitin e liderëve europianë. Dhe ne do të presim Samitin historik të NATO-s në vitin 2027. Unë besoj se të tre këto ngjarje të mëdha janë një shenjë e qartë se konteksti rajonal tani kuptohet si pjesë e peizazhit të sigurisë së vetë Europës. Prandaj, kur të gjithë liderët e BE-së erdhën në Tiranë, mesazhi ishte i thjeshtë: Ajo që ndodh në rajonin tonë nuk qëndron në rajonin tonë”, deklaroi Spiropali.
1 nga 4/gj.m/r.e/a.f/