E Hënë, 2 Nëntor 2026

Spiropali merr pjesë në Këshillin e 32-të Ministror të OSBE në Vjenë, në fokus parimet për sigurinë europiane

Ministrja e Punëve të Jashtme, Elsa Spiropali, u prit nga Kryesuesja e OSBE-së dhe Ministrja e Jashtme e Finlandës, Elina Valtonen, gjatë vizitës së saj në Vjenë.

Spiropali do të marrë pjesë në Këshillin e 32-të Ministror të OSBE-së që po mbahet në Pallatin Hofburg në Vjenë. Ky Këshill përkon me Kryesinë e Finlandës të OSBE dhe me 50-vjetorin e Aktit Final të Helsinkit që solli në jetë Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim.

Në fokus të Këshillit do të jenë parimet që qëndrojnë në themel të sigurisë europiane: barazia dhe integriteti territorial, zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve, respekti për të drejtat e njeriut.

Takimi fokusohet në mbrojtjen e vlerave që ruajnë arkitekturën e sigurisë europiane, sfidat që paraqet agresioni i Rusisë në Ukrainë, si dhe perspektivat për të ardhmen e OSBE-së sipas vizionit dhe prioriteteve të Kryesisë finlandeze.

Pritet që Spiropali të takohet edhe me Zyrtarin e Lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështjet Europiane, Brendan Hanrahan, për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në kuadër të partneritetit strategjik Shqipëri-SHBA.

Gjatë ditës, Ministrja e Jashtme do të marrë pjesë në tryezën e Ministrave të Jashtëm të nismës “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, me ftesë të Ministres së Jashtme austriake, Beate Meinl-Reisinger. Në takim do të marrin pjesë edhe Zëvendës Presidentja e Komisionit Europian dhe Kryediplomatja europiane Kaja Kallas, si dhe Komisionerja për Zgjerimin e BE, Marta Kos.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›