E Diel, 1 Nëntor 2026

Spiropali pritet nga Presidentja e Maqedonisë së Veriut: Integrimi i Ballkanit Perëndimor e bën BE-në më të fortë

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Maqedoninë e Veriut, u takua më presidenten e Republikës së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.

Gjatë takimit, Spiropali bëri të ditur se biseduan për rrugëtimin e përbashkët të dy vendeve drejt vlerave perëndimore dhe përkushtimin për ta çuar përpara agjendën evropiane.

“Për Shqipërinë, integrimi në Bashkimin Evropian është më shumë se një prioritet kombëtar: është një aspiratë e përbashkët rajonale. Një Ballkan Perëndimor i integruar plotësisht e bën Bashkimin Europian më të fortë, më të bashkuar dhe më të aftë për t’u përballur me sfidat e sotme”, nënvizoi Spiropali.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali po zhvillon një vizitë dyditore në Maqedoninë e Veriut. Më herët gjatë ditës, ministrja u prit në një takim nga Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.

Spiropali u takua gjithashtu edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Timčo Mucunski si dhe kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashin.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›