Spitali Bashkiak Mirditë transformohet në qendër rajonale të traumës dhe rehabilitimit, Sala: Ky është vetëm fillimi i reformës spitalore rajonale

Spitali Bashkiak i Mirditës po transformohet në një qendër rajonale të traumës dhe rehabilitimit, duke u kthyer në një model të ri funksional për sistemin spitalor në Veriun e Shqipërisë. Ky investim është pjesë e reformës së re spitalore që synon decentralizimin e shërbimeve të specializuara dhe uljen e fluksit në spitalet terciare, veçanërisht në Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë.
Pavioni i ri i Traumës do të fokusohet në trajtimin e ndërhyrjeve të planifikuara traumatologjike dhe rehabilitimin e pacientëve, duke sjellë shërbime më pranë qytetarëve të zonës veriore.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala, gjatë inspektimit të pavionit së bashku me Ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi, theksoi se, “Ky projekt transformimi në Spitalin Bashkiak Mirditë është pjesë e reformës së gjerë spitalore për të krijuar një shërbim më të specializuar rajonal për Traumën, ortopedinë dhe rehabilitimin, për t’i shërbyer më mirë pacientëve. Ky transformim ka dy qëllime kryesore: forcimin e sistemit spitalor të specializuar, duke krijuar një pol verior dhe së dyti po aq i rëndësishëm, decentralizimi i këtyre shërbimeve nëpërmjet fuqizimit të kapaciteteve rajonale.”
Duke vlerësuar pozicionin gjeografik të Mirditës, ministrja Sala shtoi , se “Vënia në funksion e këtij pavioni do të bëjë të mundur ofrimin e trajtimit të specializuar më pranë qytetarëve duke synuar dhe uljen e ngarkesës së spitaleve terciare, veçanërisht të Spitalit Universitar të Traumës. Ky është vetëm fillimi, pasi do të vlerësojmë edhe spitale të tjera nga ana gjeografike dhe e kapaciteteve për të krijuar një model të ngjashëm në zona të tjera të Shqipërisë. Synimi është ofrimi i shërbimeve të specializuara, jetike, sa më pranë pacientit.”
Nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, u ndal në rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional:
“Në kuadër të reformës dhe rishikimit të marrëveshjes që kemi me Ministrinë e Shëndetësisë, do të kemi mundësi që jo vetëm shërbimet e Spitalit të Traumës, por edhe shërbime të tjera të përfitohen si nga personeli ushtarak ashtu edhe ai civil, qytetarët, pranë të gjitha infrastrukturave që do të bashkëpunojnë në raport me shërbimet shëndetësore, në të gjithë Republikën e Shqipërisë.”
Projekti i ri në Spitalin Bashkiak Mirditë synon ngritjen dhe fuqizimin e shërbimeve të ortopedisë, fizioterapisë dhe rehabilitimit, zgjerimin e kapaciteteve kirurgjikale dhe anestezi-reanimacionit, si dhe mbështetje me telemjekësi për imazherinë. Ky investim pritet të sjellë rritje të cilësisë dhe eficiencës së shërbimit spitalor, trajtim më të shpejtë të traumave, reduktim të referimeve drejt spitaleve rajonale dhe universitare, si dhe përmirësim të rehabilitimit të pacientëve në nivel vendor.
/rtsh.al/