Spitali Bashkiak i Mirditës, qendër kyçe e shërbimit shëndetësor në veri të vendit

TIRANË, 18 prill/ATSH/ Spitali Bashkiak i Mirditës është kthyer në një qendër kyçe të shërbimit shëndetësor në veri të vendit, falë investimit në pajisje dhe infrastrukturë.
Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu vizituan nga afër këtë spital që i shërben rreth 15 mijë banorëve të zonës.
“Ky spital bashkë me maternitetin e inkorporuar, janë një qendër kyçe e shërbimit shëndetësor në veri të vendit, në disa specialitete, ku përfshihen: Shërbimi i Urgjencës; Mjekësia e Përgjithshme; Pediatria; Obstetrikë-Gjinekologjia; Kirurgjia e Përgjithshme; Laboratori Klinik Biokimik; Radiologjia dhe Poliklinika”, tha Rama.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha se “ky spital si infrastrukturë shëndetësore ka një pozicion shumë të rëndësishëm sepse përveç bashkisë së Mirditës i shërben edhe të gjithë qarkut. Spitali i Mirditës, në fakt, pësoi dëmtime të shumta nga tërmeti. Me fondet e rindërtimit u bë i mundur rindërtimi nga e para e gjithë infrastrukturës spitalore. Shërbimi i urgjencës pret 70% të problematikave që ndodhin në Rrugën e Kombit. Për këtë arsye sallat operatore janë investuar jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në pajisje moderne”.
“Në krahun tjetër, kemi patologjinë, këtu shërbejnë 64 mjekë dhe infermierë, ndërkohë si administratë e gjitha janë diku 130 persona staf, ekip mjekësor”, tha Koçiu.
Pas përfundimit të vizitës, kryeministri Rama u takua me mjekët dhe infermieret ku theksoi se “pjesën e mëtejshme të rritjes së pagave e di vetë”.
Buxheti për shëndetësinë do të mbështesë programin 3-vjeçar, për vijimin e rehabilitimin e plotë të 107 qendrave shëndetësore në të gjithë vendin, për periudhën 2025-2027.
Mirditë - Kryeministri Edi Rama në Spitalin Bashkiak 1 nga 7/k.s//a.f//r.e/