E Diel, 1 Nëntor 2026

Spitali rajonal i Shkodrës në gatishmëri për festa – Drejtoria e spitalit garanton shërbim të pandërprerë për qytetarët

Spitali Rajonal i Shkodrës ka ndërmarrë një plan të posaçëm masash për të përballuar fluksin e shtuar të pacientëve gjatë festave të fund vitit. Drejtori i spitalit Senad Halluni, në një deklaratë për mediat  bëri të ditur se janë marrë masa organizative dhe strukturore për të përballuar situatën.

“Janë marrë të gjitha masat në hartimin e grafikëve me strukturat mjekësore, me stafin infermerior apo strukturat mbështetëse ku i gjithë stafi është në gatishmëri maksimale për të garantuar shërbimin e sigurt dhe cilësor”, tha ai.

Drejtori Halluni  theksoi se fluksi më i lartë i pacientëve pritet të jetë në shërbimin e Urgjencës, i cili do të funksionojë 24 orë në 24, me kapacitete të plota për të përballuar çdo rast që paraqitet.

“Duke pasur parasysh se fluksi më i madh është tek urgjenca, kemi shtuar numrin e mjekëve për të pritur qytetarët në nevojë”, u shpreh Halluni.

Ky plan synon garantimin e shërbimit shëndetësor pa ndërprerje dhe me cilësi për të gjithë qytetarët që do t’i drejtohen këtij institucioni gjatë  këtyre ditëve. Drejtuesit e spitalit u bëjnë thirrje qytetarëve që, në rastet urgjente, t’i drejtohen menjëherë Urgjencës, ndërsa për problematika më të lehta shëndetësore të ndjekin këshillat e mjekëve të familjes, për të shmangur mbingarkesën e panevojshme të shërbimeve.

Gazetar: Mirsad Rakaj

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›