Starmer në mbrojtje të Shqipërisë: Nuk duhet të fyejmë shtetet, por të bashkëpunojmë

Duke nënkuptuar kritika ndaj kreut të partisë opozitare “Reforma”, Nigel Farage, kryeministri britanik Keir Starmer, në një intervistë për gazetën “The Sun”, tha se disa vende si Shqipëria janë fyer padrejtësisht në vend që të vlerësohej bashkëpunimi me to.
Ai iu referua kështu replikave mes kreut të qeverisë shqiptare, Edi Rama dhe liderit të partisë britanike të ekstremit të djathtë, lidhur me numrin e shqiptarëve që mbahen në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar.
Gjatë intervistës, Starmer foli edhe për çështjen e migrantëve. Ai u zotua të mbyllë atë që e quajti “autostradën kriminale” përmes Ballkanit Perëndimor, e cila po e përmbyt Britaninë me emigrantë.
“Ekziston një ‘autostradë kriminale’ që kalon nëpër Ballkanin Perëndimor, duke i çuar emigrantët e paligjshëm direkt në Mbretërinë e Bashkuar. Detyra jonë është ta mbyllim dhe të shkatërrojmë bandat që e drejtojnë,” tha ndër të tjera kryeministri Starmer, duke shtuar se Britania e Madhe po vendos dronë në pikat e kontrollit në të gjithë Ballkanin për të ndaluar kontrabandistët të hyjnë në vendin e tij.
Rreth një e katërta e mbërritjeve të azilkërkuesve me varka të vogla përmes Kanalit të La-Manshit kalojnë nga rruga e Ballkanit Perëndimor. Sipas qeverisë britanike, rreth 22 mijë persona u trafikuan vetëm gjatë vitit të kaluar në Mbretërinë e Bashkuara përmes këtij rajoni.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/