Statistika – 180 shkolla në testimin “PIRLS 2026”, 9.7 milionë netë qëndrime turistike në 2025

TIRANË, 8 mars /ATSH/ Agjencia për Media dhe Informim publikoi sot një përmbledhje të dhënash me tregues nga sektorë të ndryshëm, duke paraqitur disa nga zhvillimet kryesore në arsim, ekonomi, turizëm, shëndetësi dhe energji në vend.
Sipas MIA, në testimin ndërkombëtar PIRLS për vitin 2026 do të marrin pjesë 180 shkolla në Shqipëri, duke përfshirë nxënës të arsimit fillor në një vlerësim të rëndësishëm për aftësitë e leximit.
Në fushën e mbrojtjes, janë regjistruar 343 aplikime në fazën e parë të rekrutimit për vitin 2026 në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Ndërkohë, për akomodim në Qyteti Studenti janë paraqitur rreth 1500 kërkesa nga studentët.
Në sektorin e turizmit, të dhënat tregojnë për një rritje të ndjeshme të aktivitetit gjatë vitit 2025, me rreth 9.7 milionë netëqëndrime në strukturat akomoduese në vend, rreth 30% më shumë krahasuar me vitin 2024.
Në fushën e shëndetësisë, 6 spitale dhe 66 qendra shëndetësore në vend kanë përfunduar procesin e akreditimit, duke përmbushur standardet përkatëse të shërbimit shëndetësor.
Po ashtu, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ka lëshuar 2 864 certifikata për kontroll dhe gjurmueshmëri veterinare.
Sipas të dhënave të publikuara, arkëtimet në buxhetin e shtetit për vitin 2025 arritën në 754.6 miliardë lekë.
Në sektorin e energjisë, 13,2% e energjisë elektrike të prodhuar në Shqipëri gjatë kësaj periudhe ka ardhur nga impiantet diellore, duke reflektuar rritjen e përdorimit të burimeve të rinovueshme.
Ndërkohë, në tregun e punës raportohen rreth 6 500 vende të lira pune në nivel kombëtar.
/e.xh/a.f/