E Diel, 1 Nëntor 2026

Maratonë në Tiranë për Ditën Ndërkombëtare të Gruas

TIRANË, 8 mars /ATSH/ Dita Ndërkombëtare e Gruas u shënua në Tiranë me aktivitete sensibilizuese që bashkuan dhjetëra qytetarë në thirrjet për barazi dhe fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri.

Në Parkun e Liqenit Artificial u zhvillua një maratonë simbolike vrapimi me titull “Ajo Vrapon”, e organizuar nga Tirana Running Club, JDKHarmony, Jury Sport dhe ESD Albania, ku morën pjesë qytetarë të të gjitha moshave, gra dhe burra, për të promovuar barazinë gjinore dhe të drejtat e grave.

Drejtuesi i UN Women Albania, Michele Ribotta, u shpreh se ky aktivitet përcjell një mesazh të fortë për fuqizimin e grave. “Ne jemi shumë krenarë që jemi pjesë e kësaj maratone. Titulli i eventit ‘Ajo Vrapon’ dërgon një mesazh të qartë se lëvizja për të drejtat e grave, globalisht dhe në Shqipëri, nuk do të ndalet”, tha ai.

Organizatorët theksuan se iniciativa synon të kthehet në një aktivitet të përvitshëm, duke rritur ndërgjegjësimin për barazinë dhe rolin e gruas në shoqëri, ndërsa aktiviteti u mbështet gjithashtu nga biznese, agjenci dhe përfaqësi diplomatike.

Fituesja e garës ishte Naile Seferaj, e cila theksoi se pjesëmarrja në këtë aktivitet ishte një mesazh për forcën e zërit të grave dhe për rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të tyre.
Në aktivitet ishte i pranishëm edhe ambasadori i Suedisë në Shqipëri, Niklas Ström, i cili nënvizoi se fuqizimi i grave dhe barazia gjinore mbeten prioritete të rëndësishme në mbështetjen e Suedisë për Shqipërinë.

1 nga 13

e.xh/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›