E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Gratë dhe vajzat – “komandot” e armatës fitimtare të PS-së

TIRANË, 11 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste bëri të ditur sot se në rang kombëtar 56% e zgjedhësve që mbështesin PS-në janë gra dhe vajza ndërsa në qarqe të caktuara kjo mbështetje shkon deri në 65%.

Në eventin e organizuar në Teatrin Kombëtar Të Operas dhe Baletit “Vajzat dhe Gratë Socialiste për Shqipërinë 2030”, i cili i paraprin çeljes së fushatës për zgjedhjet e 11 majit, Rama i konsideroi gratë dhe vajzat socialiste “komandot” e armatës fitimtare të PS-së.

“Sot ne jemi mbledhur njëkohësisht në të 12 qarqet e vendit ku po zhvillohen 12 garat e përballjes elektorale për Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë për të nisur zyrtarisht fushatën e zgjedhjeve të 11 majit. Duke qenë se ishte e vetmja mënyrë për të lidhur bashkë të gjitha “forcat komando” të Forumit të Gruas, ne menduam se më e udhës ishte të mblidheshin drejtueset dhe koordinatoret e çdo qarku për të përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë: Shqipëria është grua, Europa është grua”, tha Rama.

Kryeministri shprehu bindjen se suksesi i përpjekjes për Shqipërinë 2030 në BE varet në radhë të parë nga nënat, motrat dhe bijat e Shqipërisë.

“Nuk ka asnjë gjë që mua më bën më shumë krenar për PS-në se sa fakti që kjo forcë politike mbështetet fuqimisht nga gratë dhe vajzat e Shqipërisë. E thënë ndryshe, PS-në e mbështesin në rang kombëtar 56% e zgjedhësve gra dhe vajza, ndërsa në qarqe të caktuara kjo mbështetje shkon deri në 65%”, tha Rama.

Kreu i PS, Rama theksoi se kjo do të thotë se tek burrat dhe djemtë mbështetja është më e ulët për ne se sa te gratë dhe vajzat.

“Nëse te gratë dhe vajzat avantazhi ynë ndaj kënetës është goxha i madh te burrat është ndjeshëm më i ngushtë. Këtë mbështetje kuptimplotë, prekëse dhe inkurajuese të pjesës më të ndjeshme, më të arsyeshme, më sakrifikuese të popullit shqiptar që janë gratë dhe vajzat unë nuk do ta ndërroja kurrë me mbështetjen e pjesës tjetër, mbështetjen e burrave dhe djemve, që padiskutim e çmoj shumë, siç çmoj çdo shqiptar dhe shqiptare që na mbështet”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se mes dy palëve nuk ka asnjë diskutim që zgjedh gjithmonë të parat nënat, bijat dhe motrat, kjo për më shumë se dy arsye.

“Ndaj edhe sot në ditën e rënies së gongut të fushatës zgjedhore nuk mund ta nisnim këtë etapë të fundit të finishit të 11 majit përveçse kështu dhe këtu, me gratë dhe vajzat që duke njohur nga brenda organizimin organizatave socialiste janë ‘komandot’ e armatës sonë fitimtare në të gjitha qarqet e vendit që koordinojnë veprimtaritë e të gjitha njësive të skuadrave brenda dhe jashtë Shqipërisë”, shtoi Rama.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›