E Martë, 3 Nëntor 2026

SOFT NEWS – Fatou, gorilla më e moshuar në botë, feston 68-vjetorin

BERLIN, 11 prill /ATSH-DPA/ – Gorilla më e moshuar në botë festoi sot ditëlindjen e saj të 68-të në kopshtin zoologjik të Berlinit dhe mori një dhuratë të veçantë nga kujdestarët e saj.

”Gorilla femër Fatou, e cila mban zyrtarisht Rekordin Botëror Guinness si gorilla më e moshuar në botë – ose të paktën më e moshuara e njohur – shijoi një buqetë me gjethe të zbukuruara me luleshtrydhe”, theksoi kopshti zoologjik.

Në shportën e frutave dhe perimeve kishte edhe pjepër, kumbulla dhe boronica.

Fatou nuk ka më dhëmbë dhe për këtë arsye ka nevojë për ushqim të butë.

Zakonisht këto janë perimet, ndërsa frutat janë një delikatesë që ajo nuk i konsumon shpesh për shkak të përmbajtjes së lartë të sheqerit.

Sipas kopshtit zoologjik, gorillat mund të jetojnë deri në 35 vjet në natyrë dhe zakonisht deri në 50 vjet nën kujdesin e njeriut, duke e bërë Fatoun një krijesë të jashtëzakonshme.

Në natyrë, dieta normale e gorillave përbëhet nga perime, gjethe, barishte, rrënjë dhe fruta.

Fatou mbërriti në kopshtin zoologjik të Berlinit në vitin 1959 dhe ishte dy vjeçe./  /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›