Strakosha: Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil nuk ka lejuar emërime gjatë fushatës

TIRANË, 20 tetor/ATSH/ Komisionerja për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Pranvera Strakosha gjatë seancës dëgjimore në mbledhjen e përbashkët të Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike me Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale në Kuvend tha sot se gjatë fushatës zgjedhore nuk janë lejuar emërime apo shkarkime nga detyra.
Strakosha iu përgjigj pyetjeve të deputetit të Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi, i cili pretendoi se PD ka të dhëna konkrete, që drejtues të lartë të administratës kanë qenë pjesë e fushatës zgjedhore të 11 majit.
“Ne kemi tabela konkrete, nga qarqe konkrete, me persona konkretë, me zyrtarë, me koordinatorë politikë. Të gjithë tashmë e dinë që sistemi i patronazhimit ka rolin e identifikimit, profilizimin e zgjedhësve mbi bazën se ku banojnë, ku jetojnë, ku votojnë , ku punojnë, çfarë nevojash kanë, çfarë problemesh dhe kërkesash kanë. Nëse bëjmë këtë lloj hetimi kuptojmë sa funksional është ky sistem patronazhimi. Çfarë keni bërë ju për të kuptuar kush është efektiviteti i sistemit të patronazhimit dhe nuk flasim për 2025, pasi është një proces më i gjatë”, theksoi Bylykbashi.
Strakosha tha se “institucioni ynë që në momentin që është krijuar ka qenë i paanshëm, kemi shqyrtuar dhe i kemi dhënë zgjidhje problematikave që kanë ardhur tek ne”.
“Komisioneri përmbush detyrat e tij ligjore mbi akte ligjore, pra ne verifikojmë punën që bëjnë njësitë e burimeve njerëzore mbi bazë dokumentesh, verifikojmë ankesën e nëpunësit civil, i cili ose është hequr nga puna ose është vlerësuar me pa të drejtë ose është transferuar në kundërshtim me ligjin dhe shqyrtojmë mbi bazën e akteve ligjore”, tha Strakosha.
Sa i përket shpërndarjes së formularëve, Strakosha tha se “nuk kemi dijeni fare si funksionon puna e formularëve që janë shpërndarë”.
“Komisioneri përfshihet në monitorimin e veprimtarisë së nëpunësve civilë për aq sa i ka caktuar ligji që do të thotë ata nuk duhet të dalin përgjatë orarit të punës dhe të shkojnë të bëjnë fushatë me kandidatë të ndryshëm, që ata nuk duhet të dalin dhe shprehin hapur mendimin e tyre politike apo në rrjetet sociale, kjo është ajo që monitoron Komisioneri me grupet e ngritura pranë çdo institucioni. Janë grupet e ngritura që problematikat që kanë i sjellin tek Komisioneri. Ne 16 inspektorë i kemi nxjerrë tërë muajin në terren, kemi bllokuar të gjithë emërimet përgjatë periudhës së zgjedhjeve dhe nuk kemi lejuar të bëhen emërime gjatë fushatës zgjedhore, se kjo do të ndikonte qoftë në njërin apo në tjetrin rezultat të kandidatëve”, theksoi Strakosha.
Ajo shtoi se “kemi eliminuar qoftë emërimet apo edhe largimet, kemi gjëra shumë minimaliste në 201 institucione që kemi monitoruar”.
“Ne monitorojmë zbatimin e ligjit, këta formularë që thoni ju mund të jenë shpërndarë privatisht, por nuk janë ligjërisht dhe ne nuk kemi dijeni kush i ka shpërndarë dhe rolin e nëpunësve civile në këtë gjë”, tha Strakosha.
Komisionerja për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Pranvera Strakosha në Komisionin e Ligjeve, fot... 1 nga 4/k.s/j.p/