Studentët e infermierisë ndihmë dhe mbështetje në Spitalin e Shkodrës

Me bluzën e bardhë të veshur me ëndrra, përkushtim dhe humanizëm, studentët e degës së Infermierisë po japin një shembull frymëzues qytetarie përmes angazhimit të tyre vullnetar në Spitalin Rajonal të Shkodrës.
Prej pesë vitesh, falë bashkëpunimit mes organizatës Alternativa Studentore dhe këtij institucioni shëndetësor, dhjetëra të rinj kanë pasur mundësinë të jenë pranë pacientëve, të mësojnë nga mjekët dhe infermierët profesionistë, si dhe të formohen jo vetëm si specialistë të ardhshëm, por edhe si qytetarë me një ndjenjë të fortë përgjegjësie sociale.
Drejtoresha Ekzekutive e Alternativës Studentore, Pranvera Paci, thekson rëndësinë e këtij bashkëpunimi.
“Ky lloj zhvillimi që përfitojnë studentët, si dhe marrja e aftësive praktike, realizohet prej pesë vitesh në Shkodër, në bashkëpunim me Spitalin Rajonal të Shkodrës, pasi kemi një marrëveshje bashkëpunimi. Ajo që ne synojmë si organizatë është riformatimi i kësaj marrëveshjeje edhe me universitetin, në mënyrë që studentët që angazhohen në këtë lloj vullnetarizmi në spital ta kenë të njohur edhe si pikë krediti,” tha Paci.
Çdo ditë, në pavijonet e Spitalit Rajonal të Shkodrës, studentët kontribuojnë me përkushtim, duke sjellë energji pozitive dhe duke qenë një mbështetje e çmuar për pacientët dhe stafin mjekësor.
Gazetar: M. Rakaj
/rtsh.al/