Sula: Sfidë digjitalizimi i inspektorateve, mbrojmë interesin publik

TIRANË, 13 shkurt /ATSh/ Kryeinspektori i përgjithshëm, Dashnor Sula, pas marrjes së detyrës shprehu angazhimin e tij për të realizuar objektivat e vendosura nga qeveria për fazën e re të reformës së sistemit të inspektimeve.
Gjatë një takimi me drejtuesit e inspektorateve në vend, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama si dhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, Sula vlerësoi kreun e qeverisë për vizionin, ndërsa tha se ky pozicion është një sfidë për të.
“Kam pranuar këtë sfidë, sepse ju vlerësoj maksimalisht për vizionin që ju keni. Ndoshta, është e pamundur dhe e paimagjinueshme që një demokrat prej 20 vitesh në politikë, në një llogore tjetër, që kemi kritikuar, gjuajtur me gurë qeverinë tuaj, por diferenca qëndron në një moment cilësor. Dhe nuk kam turp ta them që aty ku unë kam kontribuar, kam dhënë për 20 vite, kam fituar gara të paimagjinueshme, gjithmonë personale po flasim, dhe garën e fundit që dola i pari dhe të hedhin ne rrugë. Tek qeveria jote mora kurajon, mora guximin, konkurrova, dola i pari dhe vlerësohem dhe kjo është një diferencë”, u shpreh Sula.
“Kushdo qytetar shqiptar, demokrat, socialist apo në pikëpamje të ndryshme politike do duhet të besojnë në këto konkurrime, të aplikojnë dhe jam i bindur që do të ketë drejtësi me fitimin e atij vendi të punës apo atij konkursi”, tha ai.
Sula theksoi se do të punojë pa kompromis për të zbatuar tre parime të panegociueshme.
Sula garantoi Kryeministrin se tri gjëra i ka të panegociueshme dhe që do t’i vendosë në zbatim.
“Në radhë të parë do të kem të gjithë përkushtimin tim maksimal gjatë 24 orëve. Nuk është fjala që them në kuptimin që fizik të punimit gjatë 24 orëve, por telefoni im do të jetë i hapur. Unë e kam numrin e telefonit publik, pra përkushtimi do të jetë maksimal, do punojmë të gjithë bashkë për ato detyra që ju na keni vënë, për ato detyra që na jep ligji, për atë reformë të rëndësishme, për ta çuar dhe për ta përmbyllur në fund të vitit 2026”, tha ai.
Sula theksoi se angazhimi për drejtësi dhe mundësi të barabarta, do të jetë thelbësor për të ndihmuar në krijimin e një fryme pozitive për bizneset dhe për përmirësimin e marrëdhënieve me qytetarët.
“E dyta, ju garantoj zoti Kryeministër, për integritetin tim moral dhe besoj të gjithë trupës së kryeinspektorëve të inspektorateve dhe deri tek inspektori i fundit, që nuk pretendoj që gjithçka të jetë mrekulli, por do të ketë përmirësim të dukshëm, qysh nga ato çfarë na jep kompetencë ligji, sidomos nga rekrutimi, nga masat disiplinore dhe deri në masat ndëshkuese, që do ketë drejtësi, në kuptimin që çdo rekrutim do jetë pranë trupës inspektuese do ta ketë shansin zero të futet në punë nëpërmjet ryshfetit, zero”, u shpreh Sula.
Sula tha se problematikat do t’i përmirësojnë dukshëm.
Një nga angazhimet më të rëndësishme, theksoi Sula do të jetë edhe digjitalizimi i sistemit.
“Dhe sfida që na ka vënë përballë është digjitalizimi i sistemit dhe ndërtimi i një sistemi dhe jo në kuturu, por që do të përmirësohet përfundimisht tek bizneset, në pëlqimin e një fytyre të një biznesi apo të një mënyre tjetër, por në sajë të indikatorëve të riskut, të ndërtimit të një sistemi të parandalimit dhe në mbrojtje të interesit të lartë publik në çdo moment”, tha kryeinspektori.
“Ligji na ka përcaktuar edhe inspektimet e planifikuara, por na ka lënë dhe hapësirën e emergjencës të çastit, që në mbrojtje të interesit të fortë publik të një momenti i cili sjell dëm të madh, të rëndë të interesit publik, do duhet që inspektoratet të jenë vigjilentë në përmbushje të këtij detyrimi, që mos të ndodhi që të vij dëmi pastaj tek interesi publik”, tha Sula.
Ai paralajmëroi se do të fillohet një proces verifikimi për çdo inspektor, për të siguruar që ata janë në pozitat dhe kualifikimet e duhura për detyrat e tyre.
/m.q/j.p/r.e/