Sulme nga Irani? Ambasada amerikane për RTSH: Mbrojtja e amerikanëve, përparësi e Trump. Bashkëpunojmë me qeverinë shqiptare

Një ditë pas paralajmërimit të lëshuar për mundësinë e shënjestrimit edhe në Shqipëri të subjekteve të lidhura me SHBA nga grupet e lidhura me Iranin, ambasada amerikane ka deklaruar ekskluzivisht për RTSH-në, se siguria dhe mbrojtja e qytetarëve amerikanë është në fokus të administratës Trump.
Në përgjigjen e dhënë për RTSH, ambasada sqaron se po bashkëpunon ngushtësisht me autoritetet shqiptare për të vlerësuar situatën dhe për të zbutur rreziqet e sigurisë.
Po ashtu, ambasada vlerëson më tej bashkëpunimin e ngushtë që ka me qeverinë shqiptare në çështjet e sigurisë, teksa nënvizon angazhimin e autoriteteve shqiptare për garantimin e siugurisë së qytetarëve amerikanë në vendin tonë.
“Faleminderit për kërkesën. Ne ofrojmë përgjigjen e mëposhtme në sfond (on background), që mund t’i atribuohet një zyrtari të ambasadës:
“Administrata Trump nuk ka përparësi më të lartë se siguria dhe mbrojtja e amerikanëve. Ne po bashkëpunojmë ngushtë me autoritetet shqiptare për të vlerësuar situatën dhe për të zbutur rreziqet e sigurisë. Ambasada e Shteteve të Bashkuara vlerëson bashkëpunimin e saj të ngushtë në çështjet e sigurisë me Qeverinë e Shqipërisë, e cila ka shfaqur një angazhim të vazhdueshëm për të garantuar sigurinë e qytetarëve amerikanë dhe të gjithë banorëve të Shqipërisë. Ne do të ofrojmë më shumë informacion sapo të jetë i disponueshëm”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Një ditë më parë Ambasada Amerikane paralajmëroi qytetarët amerikanë në Shqipëri dhe në mbarë botën për një rrezik të shtuar nga grupet e lidhura me Iranin, si pasojë e konfliktit aktual në Lindjen e Mesme.
Sipas alertit të sigurisë, grupet e mbështetura nga Irani mund të synojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara, si dhe elementë të opozitës iraniane që ndodhen në Shqipëri.
/rtsh.al/