E Diel, 1 Nëntor 2026

Sulmet nga Irani / Hoxha telefonatë me homologun e Kuwaitit: Kërcënim serioz për stabilitetin rajonal e global

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij në Kuwait, sheikh Jarrah Jaber Al-Ahmad Al-Sabah, ku ka dënuar sulmet e Iranit ndaj këtij vendi.

Në një postim në rrjetet sociale, ministri Hoxha shprehet se këto sulme përbëjnë kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin global, ndërsa konfirmoi mbështetjen e vendit tonë ndaj Kuwaitit.

“Zhvillova sot një bisedë telefonike me Ministrin e Punëve të Jashtme të Kuwaitit, Sh.T. Sheikh Jarrah Jaber Al-Ahmad Al-Sabah.

Shqipëria dënon ashpër sulmet e Iranit kundër Kuwaitit. Këto veprime përbëjnë një shkelje të qartë të së drejtës ndërkombëtare, cenojnë sovranitetin e Kuwaitit dhe paraqesin kërcënime serioze për sigurinë e qytetarëve të tij, ekonominë e vendit, si dhe për paqen dhe stabilitetin rajonal e global.

Shqipëria qëndron në solidaritet të plotë me Kuwaitin përballë çdo veprimi destabilizues. Rikonfirmova mbështetjen tonë të palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kuwaitit, një parim themelor i politikës së jashtme të Shqipërisë.”, shkruan Hoxha.

Më tej ministri shqiptar ka konfirmuar se e Shqipëria do të bashkësponsorizojë projekt-rezolutën e OKB-së në Këshillin e Sigurimit, të paraqitur nga shtetet anëtare të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, e cila dënon sulmet e Iranit kundër Bahreinit, Kuwaitit, Omanit, Katarit, Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Jordanisë, si dhe bën thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të tyre.

“Shpreha gjithashtu mirënjohjen tonë të sinqertë ndaj autoriteteve kuvajtiane për kujdesin dhe mbështetjen e jashtëzakonshme të treguar ndaj qytetarëve shqiptarë në Kuwait gjatë këtyre momenteve sfiduese.”, përfundon ministri.

LEXO EDHE: “Përpjekje të rrezikshme”, Rama dënon sulmin e dytë iranian ndaj Turqisë: Përshëndesim reagimin e shpejtë të NATO-s

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›