Sulmi ndaj “Vilës 31”, Gjykata e Tiranës nxjerr vendimin për të arrestuarit

Të arrestuarit për sulmin me molotov lirohen me “detyrim paraqitjeje”, reagime pas protestës te “Vila 31”.
Pas një seance me dyer të mbyllura, gjyqtari vendosi lirimin e personave të arrestuar nga Policia për sulm me molotov, lëndë djegëse dhe shkatërrim prone, duke caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”.
Ngjarjet u shënuan gjatë protestës së 28 shkurtit të Partisë Demokratike në Tiranë, ku u sulmua edhe vila e ish-diktatorit Enver Hoxha në zonën e ish-Bllokut. Grumbullime pati gjithashtu pranë ambienteve të Policisë së Shtetit dhe Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Gjatë hedhjes së molotovëve në “Vilën 31”, në ambientet e brendshme kishte njerëz, të cilët fatmirësisht nuk pësuan lëndime. Sipas informacioneve paraprake, dëmet e shkaktuara ishin vetëm materiale.
Përfaqësues të opozitës deklaruan se nuk kishin dijeni për praninë e shtetasve të huaj në vilë. Ata pohuan se kishin marrë informacione se në godinë pritej të zhvillohej një takim mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryepolicit Ilir Proda, gjë që sipas tyre nxiti protestuesit t’a sulmonin godinën.
Ndërkohë, reagime pati edhe nga përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare. Selitë diplomatike në Tiranë dënuan aktet e dhunës, duke theksuar se protesta është një e drejtë themelore demokratike, dhe jo diçka që justifikon dhunën.