E Diel, 1 Nëntor 2026

Sulmi në Iran/ Trump i pakënaqur me kryeministrin britanik, bën ironi: Nuk po merremi me Winston Churchill

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u takua sot në Shtëpinë e Bardhë me kancelarin gjerman Friedrich Merz, me temë kryesore luftën në Iran dhe zhvillimet ushtarake në rajon.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi në Shtëpinë e Bardhë se aftësia ushtarake e Iranit është “shkatërruar kryesisht”, duke theksuar se vendi nuk ka më një marinë funksionale, forcë ajrore apo sistem të mbrojtjes ajrore.

“Nuk kanë një marinë, është shkatërruar. Nuk kanë një forcë ajrore, nuk kanë një mbrojtje ajrore, është shkatërruar”, u shpreh Trump, duke shtuar se “pothuajse gjithçka është shkatërruar”. Ai vlerësoi njëkohësisht ushtrinë amerikane, duke thënë se “po ia dalim shumë mirë, kemi një ushtri të shkëlqyer dhe ata po bëjnë një punë fantastike”.

Duke folur për vendimin për të ndërmarrë sulmin ndaj Iranit, Trump tha se SHBA-të kishin zhvilluar negociata, por situata ishte përshkallëzuar. “Patëm negociata me këta njerëz të çmendur. Ata do të sulmonin të parët, e ndjeva shumë fort… Nuk doja që kjo të ndodhte”, deklaroi ai.

Presidenti amerikan pranoi gjithashtu se mund ta ketë “detyruar Izraelin të veprojë” sa i përket kohës së sulmit, por përsëriti se infrastruktura ushtarake iraniane tashmë është goditur rëndë.

Sa i përket pasojave, Trump akuzoi Iranin se ka goditur objektiva që “nuk kishin të bënin fare me atë që po ndodhte”, duke përmendur ndërtesa politike, hotele dhe apartamente.

Ai paralajmëroi se skenari më i keq do të ishte që pas goditjeve “të marrë kontrollin dikush po aq i keq sa ai i fundit”.

I pyetur për qëndrimin e aleatëve evropianë, Trump tha se ishte i kënaqur me disa prej tyre, por jo me të gjithë. Ai kritikoi veçanërisht Mbretërinë e Bashkuar dhe kryeministrin Keir Starmer, duke deklaruar se “nuk ishte i kënaqur” dhe duke shtuar me ironi: “Ne nuk po merremi me Winston Churchill.”

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›