E Diel, 1 Nëntor 2026

Sulmuan autobusët me tifozë dhe penguan qarkullimin, arrestohen 3 persona në Tiranë, procedohen 2 të mitur

Policia e Tiranës ka arrestuar 3 persona dhe ka proceduar penalisht 2 të mitur, pas një incidenti të ndodhur pas mesnate në aksin rrugor “Qafë Kashar – Rinas”.

Sipas hetimeve, 5 shtetas kanë bllokuar lëvizjen e automjeteve dhe kanë goditur me sende të forta tre autobusë që po transportonin tifozët e një ekipi futbolli. Si pasojë, është shkaktuar dëmtim i mjeteve dhe shqetësim për rendin publik.

Të arrestuarit janë shtetasit A. M., 32 vjeç, K. S., 29 vjeç dhe Sh. S., 30 vjeç, ndërsa dy të mitur 17-vjeçarë janë proceduar në gjendje të lirë.

Policia po vijon punën për identifikimin dhe ndalimin e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje.

Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprat penale: “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkatërrim i pronës” dhe “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”, të kryera në bashkëpunim.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›