Sulo: Muxhahedinët janë të harruar. Irani nuk ka mundësi të merret me aktivitetin e opozitës

Analisti Arion Sulo ka deklaruar në studion e emisionit “Trialog” të Alba Alishanit se muxhahedinët janë të harruar dhe Irani nuk ka mundësi reale të merret me aktivitetin e opozitës së tij.
Sulo u shpreh se njoftimi i Ambasadës Amerikane nuk duhet lexuar si alarm iminent për Shqipërinë, por si një masë rutinë sigurie.
“Muxhahedinët janë të harruar dhe Irani nuk ka mundësi reale të merret me aktivitetin e opozitës së tij. Aspekti i dytë është MEK-u. Edhe ambasada thotë se në njoftimin e shkurtër ka dhënë të gjitha pikat që u diskutuan këtu, ka dhënë indikatorët. Së pari, është për qytetarët amerikanë, sigurisht, sepse ambasada po e lidh sulmin me qytetarët amerikanë, dhe pastaj edhe me restorantet”, tha Sulo.
Ai shtoi se ambasada amerikane ka ndjekur një praktikë standarde që aplikohet në të gjitha vendet aleate gjatë kësaj periudhe: “Unë mendoj se është më specifikisht për ta, sepse ambasada nuk do të dilte pa arsye. Prandaj dua të besoj më shumë se është një rutinë që ata kanë bërë me të gjitha vendet aleate në këtë periudhë njëmujore.”
Duke folur për kohën e publikimit të njoftimit, Sulo u pyet pse pikërisht tani. Ai u përgjigj se në rast të një kërcënimi real dhe iminent, do të kishte pasur reagime të dukshme nga autoritetet shqiptare: “Por pse pikërisht në këtë moment? Ambasada dhe shërbimet e saj e dinë këtë.
Megjithatë, unë mendoj se nëse do të ishte diçka imminente dhe e afërt, patjetër do të kishim lëvizje nga ana jonë. Domethënë do të kishim diçka të dukshme, disa shenja konkrete që do të ishin të dukshme.”
Sulo theksoi se Irani aktualisht është i fokusuar plotësisht në konfliktet e mëdha rajonale, duke përmendur Ngushticën e Hormuzit, bombardimet dhe negociatat në zhvillim: “Unë nuk besoj se Irani ka shumë mundësi tani për t’u marrë me opozitën dhe aktivitetet e opozitës iraniane. Ata janë të harruar në Iran nga të gjitha pikëpamjet që ekzistojnë sot për mundësinë e ndryshimit të regjimit në Iran. Muxhahedinët përmenden këtu shumë pak ose aspak. Tani që janë në Ngushticën e Hormuzit, ka bombardime nga të gjitha anët, ka shpërthyer lufta në vendet e Gjirit, po zhvillohen negociata dhe nuk po zhvillohen… Pra jo, mund të jesh i ekspozuar ndaj të gjithë këtyre faktorëve të listuar.”
/rtsh.al/