Super operacioni i policisë, prangoset në Spanjë, Denis Meta, ndërsa në Itali, Arjan Tuku

Ka marrë fund të premten arratia e dy personave, të cilët ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar. Policia bëri të ditur se është arrestuar në Spanjë Denis Meta, i shpallur në kërkim si pjesë e operacionit të sotëm të SPAK dhe Arjan Tuku në Itali, edhe ky për llogari të SPAK. Turku ka qenë i arrestuar ne Itali edhe në 2022.
Nga hetimet e kryera, SPAK ka dalë në përfundimin se Arian Tuku, 36 vjeç nga Lezha, ka tentuar të vrasë Aleks Ndrekën. Gjithashtu 36-vjeçari ka siguruar kushtet për të kryer vrasjen e Durim Bamit.
“Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rezulton se shtetasi Arian TUKU, djali i Zef dhe Veranikës, i datëlindjes 02.02.1988 në Lezhë, më datë 01.12.2020 ka tentuar të vrasë shtetasin Aleks NDRKA. Gjithashtu ky shtetas ka siguruar kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasjen e shtetasit Durim BAMI. Më datë 03.11.2020, ai ka trafikuar në Mal të Zi 168 kg kanabis sativa të cilat janë sekuestruar nga autoritetet malazeze. Veprat e mësipërme janë kryer prej tij në një formë të veçantë bashkëpunimi, atë të një grupi të strukturuar kriminal.”, njofton SPAK.
Ndërsa Denis Meta ka qenë arrestuar edhe më parë në Durrës pasi bashkë me një person tjetër, Serxhio Mejdani, u kap me një sasi lëndësh narkotike. Denis Meta, 21 vjeç dhe Serxhio Mejdani, 24 vjeç, në momentin e arrestimit dispononin lëndë narkotike dhe armë.
“Shtetasve të mësipërm gjatë kontrollit fizik dhe në banesat përkatëse iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale disa doza me kanabis, një armë zjarri, tip pistoletë Ekol, (u gjet në banesën e shtetasit D. Meta), 21 fishekë të kalibrit 7.62 mm si dhe një radio policie.”, njoftonte policia.
/rtsh.al/