E Diel, 1 Nëntor 2026

Superliga – Tirana humb ndaj Elbasanit, Bylisi fiton dhe del nga zona e ftohtë

TIRANË, 8 mars  /ATSH/ Dy ndeshje që hapën raundin e 27-të të Kategorise Superiore u zhvilluan këtë të diel, ku spikati humbja e radhës e KF Tirana ndaj AF Elbasani, ndërsa KF Bylis mori një fitore të rëndësishme përballë KF Vora.

Në stadiumin “Selman Stërmasi”, Tirana u mposht me rezultatin minimal 0-1 nga Elbasani, duke regjistruar humbjen e katërt radhazi dhe duke thelluar krizën e rezultateve. Goli vendimtar i takimit u shënua nga Ze Gomes në minutën e fundit të pjesës së parë.

Ndeshja u karakterizua nga tensioni në tribuna dhe në fushë, ndërsa në fund të takimit pati edhe përplasje mes futbollistëve, ku lojtari i Tiranës, Kobiljar, u ndëshkua me karton të verdhë. Pavarësisht rikthimit në stol të trajnerit Orges Sheh, bardheblutë vijojnë të mos gjejnë rrugën e rezultateve.

Pas kësaj humbjeje, Tirana mbetet në vendin e parafundit të renditjes me 21 pikë, ndërsa Elbasani ruan vendin e dytë me 49 pikë.

Në ndeshjen tjetër të zhvilluar në stadiumin Adush Muça në Ballsh, Bylisi fitoi 1-0 ndaj Vorës. Goli i Ahmed Adepoju në minutën e 88-të i dha tri pikë të rëndësishme skuadrës së drejtuar nga Mirel Josa.

Me këtë fitore, Bylisi ngjitet në kuotën e 27 pikëve dhe del nga zona e ftohtë e renditjes, duke lënë pas Vorën, e cila me 26 pikë zbret në vendin e tetë dhe futet në vorbullën e mbijetesës.

/a.f/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›