Superliga, mbyllen në barazim ndeshjet e të shtunës

TIRANË, 31 gusht /ATSH/ Egnatia-Elbasani dhe Partizani-Teuta mbyllën takimet e të shtunës, të vlefshme për javën e dytë të kategorisë “Abissnet Superiore”.
Egnatia dhe Elbasani kanë mbyllur në një barazim 1-1 një ndeshje të çmendur ku ka ndodhur gjithçka, sidomos në minutat e fundit të saj ku dueli u tensionua duke bërë që tre lojtarë të dilnin me karton të kuq.
Sfida ishte e luftuar që në fillim, me Elbasanin që kundërsulmoi disa herë rrezikshëm me Diallo, derisa gjeti golin e me këtë të fundit. Egnatia u përgjigj në pjesën e dytë duke imponuar ritmin e vet, teksa gjeti golin me Xheferson.
Por nga ai moment ndeshja u tensionua teksa me radhë ishin Lulaj, Fangaj e Xheferson që u ndëshkuan me të kuq. Ky i fundit shkaktoi penallti duke i dorëzuar mundësinë Loukilit të realizonte nga pika e bardhë. Futbollisti i Elbasanit gaboi pasi u ndal nga Dajsinani, Lajthia shtyu më pas topin në rrjetë, por pa t’i anulohej goli për një lëvizje më të shpejtë te momenti i penalltisë.
Ndërkohë, ndeshja tjetër e luajtur në “Arenën e Demave”, ajo mes Partizanit dhe Teutës, u mbyll në barazim pa gola.
Rastet e rrezikshme në këtë përballje ishin të pakta, teksa të dyja skuadrat duket se u kënaqën me barazimin.
Për Partizanit kjo ishte pika e katërt, pas triumfit ndaj Vorës, ndërkohë që për Teutën, ishte pika e parë, pasi në duelin e javës së parë ishte pushim, për t’i dhënë kohë Dinamos, në arenën Europiane.
Në duelet e javës së tretë, Partizani do të përballet me Vllazninë në transfertë, ndërsa Teuta luan fillimisht me Dinamon, më 5 shtator ndeshjen e prapambetur ndaj Dinamos, ndërkohë që më pas pret Vorën.
Ndeshja e parë e Javës së dytë e luajtur më herët të shtunën, ajo mes Flamurtarit dhe Bylisit, përfundoi gjithashtu në barazim, por me shumë gola: 3-3.
Sot zhvillohen dy ndeshjet e tjera të Javës së dytë të Superiores: në orën 17:00 Vora përballet me Tiranën, ndërsa në orën 20:00 Dinamo City pret Vllazninë.