E Hënë, 2 Nëntor 2026

TAIPEI – Tajvani thellon lidhjet ushtarake me SHBA-në për të forcuar sigurinë

TAIPEI, 22 tetor /ATSH/-  Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit njoftoi sot se synon të thellojë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke përfshirë vizita të ndërsjella dhe vëzhgime të stërvitjeve ushtarake, për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon, sipas “Reuters”.

SHBA-ja, si shumica e vendeve, nuk ka marrëdhënie diplomatike formale me Tajvanin, i cili kërkohet nga Kina, por mbetet mbështetësja më e rëndësishme ndërkombëtare e ishullit dhe ligji i detyron të sigurojë mjetet për mbrojtjen e tij.

Në një raport për parlamentin, ministria e përshkroi SHBA-në si një partner strategjik të rëndësishëm.

“Forcat tona të armatosura vazhdojnë të forcojnë kanalet e komunikimit mes Tajvanit dhe Shteteve të Bashkuara dhe të avancojnë bashkëpunimin strategjik në nivele dhe fusha të ndryshme të mbrojtjes dhe sigurisë”, thuhet në raportin e  ministries.

“Bashkëpunimi i mëtejshëm do të përfshijë dialogje mbi politikën strategjike dhe sigurinë, vizita të ndërsjella, vëzhgime stërvitjesh dhe diskutime mbi çështjet operative “për të ruajtur së bashku paqen dhe stabilitetin në Ngushticën e Tajvani”, shton raporti .

Tajvani është ankuar për presion të shtuar ushtarak dhe politik nga Kina, duke përfshirë stërvitje  dhe patrullime ushtarake  rreth ishullit.  Këto veprime synojnë të ushtrojnë presion psikologjik dhe të pengojnë ndërhyrjen e palëve të treta, duke krijuar një sfidë serioze për sigurinë rajonale.

Tajvani po përdor gjithashtu kanale ndërkombëtare për të ndarë burime inteligjence dhe teknologji, për të monitoruar aktivitetet ushtarake kineze dhe për të siguruar paralajmërim të hershëm kundër sulmeve të papritura.

Qeveria e Tajvanit refuzon pretendimet e sovranitetit të Pekinit, duke theksuar se vetëm populli i ishullit mund të vendosë për të ardhmen e tij./Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›