E Hënë, 2 Nëntor 2026

TEHERAN – Dhjetëra ligjvënës iranianë bëjnë thirrje për ndërtimin e një bombe bërthamore

TEHERAN, 22 shtator /ATSH-DPA/- Dhjetëra ligjvënës iranianë kanë bërë thirrje për zhvillimin e një bombe bërthamore, duke pasur parasysh tensionet ushtarake në rritje me Izraelin.

“Në një letër drejtuar Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare dhe autoriteteve shtetërore, 71 nga 290 anëtarët e parlamentit kërkuan një rivlerësim të doktrinës së mbrojtjes së vendit, duke përmendur ndryshimet në sigurinë rajonale”, raportoi sot media iraniane.

Irani ka theksuar prej kohësh se nuk kërkon të ndërtojë armë bërthamore.

Vendi shpesh i referohet një vendimi fetar, të lëshuar nga Udhëheqësi Suprem Ayatollah Ali Khamenei, i cili zyrtarisht ndalon si ndërtimin ashtu edhe përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë.

Në letrën e tyre, ligjvënësit argumentuan se bota ka ndryshuar, duke thënë se Izraeli ishte në “prag të çmendurisë” dhe duke nisur sulme “pa marrë parasysh detyrimet ndërkombëtare”.

Ata thanë se posedimi i armëve bërthamore për qëllime parandalimi nuk do të shkelte vendimin e Khamenei. Khamenei është autoriteti më i lartë politik dhe fetar në Iran.

Tensionet u rritën në qershor kur Izraeli zhvilloi një luftë 12-ditore kundër Republikës Islamike, së cilës iu bashkuan edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke synuar objektet kryesore bërthamore iraniane.

Konfrontimi gjithashtu intensifikoi mosmarrëveshjet diplomatike midis Teheranit dhe vendeve perëndimore, të cilat e akuzojnë Iranin se kërkon të ndërtojë armë bërthamore, një akuzë që Teherani e mohon. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›