Ndarja nga jeta e Enver Petrovcit, Rama: Aktor i jashtëzakonshëm dhe njeri i dashur

TIRANË, 22 shtator/ATSH/ Kryeministri Edi Rama shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të aktorit të mirënjohur të skenës dhe ekranit, Enver Petrovci.
Kryeministri Rama e konsideroi Petrovcin një aktor të jashtëzakonshëm.
“Aktor i jashtëzakonshëm, njeri i dashur dhe keqardhje e madhe… Prehu në paqe Enver Petrovci”, u shpreh Rama në mesazhin e tij të ngushëllimit.
Aktori dhe regjisori Enver Petrovci u nda sot nga jeta, në moshën 71-vjeçare.
Petrovci ishte një prej themeluesve dhe profesorëve të parë të degës së Artit Dramatik pranë Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës.
Ai pati një karrierë të suksesshme në teatër, sidomos në “Atelieja 212”, duke u bërë i njohur në mbarë ish-Jugosllavinë. Pas vitit 1999 vazhdoi me sukses karrierën e tij artistike kryesisht në Kosovë e Shqipëri.
Ai ishte gjithashtu regjisor dhe skenarist. Një vit më parë ai botoi librin “Amanete zemre”.
/m.m/j.p/