SHBA – Trump: Do ta ndihmojmë Poloninë në rast përshkallëzimi nga ana e Rusisë

UASHINGTON, 22 shtator /ATSH-PAP/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta ndihmonin Poloninë nëse do të kishte një përshkallëzim të situatës nga Rusia.
I pyetur nga një gazetar i agjencisë italiane të lajmeve ANSA se nëse do ta ndihmonte Poloninë dhe shtetet baltike nëse Rusia do të vendoste ta përshkallëzonte situatën, Trump deklaroi se ”do ta bëj pa asnjë mëdyshje”.
Në një koment për shkeljen e hapësirës ajrore të Estonisë nga avionët luftarakë rusë të premten e kaluar, Trump tha se ”nuk i pëlqente kjo situatë”.
Komentet e Trump erdhën para fluturimit të tij për në Arizona për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të Charlie Kirk, një komentator dhe aktivist konservator, i cili u qëllua për vdekje më 10 shtator./ /os/