Vllaznia skuadra e parë gjysmëfinaliste e Kupës së Shqipërisë

TIRANË, 4 mars /ATSH/ Vllaznia është skuadra e parë që siguron “biletën” për në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, pasi ka mundur Bylisin edhe në ndeshjen e dytë të vlefshme për çerekfinalet e turneut, që u luajt në “Loro Boriçi”.
Pas suksesit 1-0 në ndeshjen e parë në transfertë, shkodranët kanë fituar sot në “Loro Boriçi” me rezultatin 2-1. Bekim Balaj hapi serinë e golave me një eurogol në 34′. Olavio në të 38′ riktheu baraspeshën e përkohshme për ballshiotët, ndërsa Pusi në 44′ vulosi fitoren dhe kalimin në fazën tjetër të kuqebluve. Ekipi shkodran gjithsesi bëri detyrën në fushën e lojës, duke administruar mirë fraksionin e dytë, teksa provoi deri në fund të gjente një tjetër gol që nuk erdhi.
Kështu, Vllaznia e sheh veten në garë edhe për trofeun e dytë për nga rëndësia në vendin tonë, ndërsa Bylisit i duhet të fokusohet te kampionati dhe lufta për mbijetesë.