E Diel, 1 Nëntor 2026

TEHERAN – Irani kërkon lirimin e 24 miliardë dollarëve nga fondet e ngrira në negociatat me SHBA-në

TEHERAN, 26 maj /ATSH-DPA/- Irani po kërkon zhbllokimin e aseteve të ngrira ndërsa vijojnë negociatat pas përshkallëzimit të fundit të luftimeve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve “Tasnim”, e cila citoi sot një burim të paidentifikuar nga ekipi iranian i ndërmjetësimit, pas hyrjes në fuqi të një marrëveshjeje kornizë mes palëve në konflikt, gjysma e shumës totale prej 24 miliardë dollarësh duhet të vihet menjëherë në dispozicion të Teheranit.

“Tasnim” raportoi gjithashtu se pjesa e mbetur e shumës duhet të transferohet brenda periudhës 60-ditore, të parashikuar nga marrëveshja kornizë, për të cilën po negociojnë të dyja palët.

Edhe agjencia e lajmeve “Fars” bëri të ditur se pa zhbllokimin e fondeve nuk mund të arrihet asnjë marrëveshje.

Vlerësimet mbi shumën totale të fondeve iraniane të ngrira në nivel global ndryshojnë ndjeshëm.

Disa prej tyre përfshijnë prona ose vlera kontabël, që në praktikë mund të kenë vlerë më të ulët.

Mbetet ende e paqartë se nga buron shifra prej 24 miliardë dollarësh e përmendur nga pala iraniane.

Një delegacion i lartë iranian, i kryesuar nga negociatori kryesor dhe kryetari i Parlamentit, Mohammad Bagher Ghalibaf, udhëtoi dje në Doha për zhvillimin e bisedimeve.

Sipas “Tasnim”, gjatë diskutimeve në Doha është trajtuar edhe kërkesa e Teheranit për lirimin e aseteve të ngrira.

Të ardhurat nga eksportet iraniane të naftës, të prekura nga sanksionet, mbeten të ngrira në Katar.

Ditët e fundit, si zyrtarë amerikanë ashtu edhe ata iranianë kanë folur për mundësinë e finalizimit të një marrëveshjeje kornizë, që synon t’i japë fund konfliktit.

Sipas palëve, draft-marrëveshja parashikon një zgjatje 60-ditore të armëpushimit për të krijuar hapësirë për negociata të mëtejshme, si edhe dispozita që lidhen me rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.

Megjithatë, interpretimet mbi elementët e tjerë të marrëveshjes ndryshojnë ndjeshëm mes palëve.//a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›