E Hënë, 2 Nëntor 2026

TEHERAN – Irani paralajmëron SHBA-në për rrezikun e shkeljes së armëpushimit pas sulmeve të natës

TEHERAN, 26 maj /ATSH-DPA/- Irani deklaroi sot se sistemet e tij të mbrojtjes ajrore iu përgjigjën aktivitetit ushtarak amerikan, pasi Uashingtoni njoftoi për sulme ndaj objektivave brenda territorit iranian, pavarësisht armëpushimit në fuqi dhe negociatave për përfundimin e luftës.

Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) paralajmëroi për rrezikun e çdo shkeljeje të armëpushimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe theksoi të drejtën e Iranit për t’u kundërpërgjigjur.

Sipas IRGC-së, forcat iraniane kanë hapur zjarr ndaj një droni amerikan RQ-4 dhe një avioni luftarak F-35, ndërsa kanë identifikuar gjithashtu një dron amerikan “MQ-9 Reaper”.

Agjencitë iraniane të lajmeve “Fars” dhe “Tasnim” raportuan se një dron amerikan MQ-9 ishte rrëzuar.

Më vonë, Ministria e Jashtme e Iranit akuzoi SHBA-në për “shkelje të rënda” të armëpushimit gjatë 48 orëve të fundit, sipas agjencisë se lajmeve “Tasnim”.

Sipas ministrisë, këto shkelje, të ndodhura mes përpjekjeve diplomatike, përbëjnë cenim të besimit.

Teherani përmendi gjithashtu “disa raste piraterie ndaj anijeve tregtare iraniane”, term që përdoret nga autoritetet iraniane për bllokadën detare amerikane.

Ushtria amerikane deklaroi dje se kishte kryer sulme në jug të Iranit, duke goditur pozicione raketore dhe mjete lundruese pranë Ngushticës së Hormuzit, të cilat sipas saj po vendosnin mina në këtë korridor strategjik detar.

Forcat amerikane i përshkruan operacionet si “sulme vetëmbrojtëse”, me synimin për të mbrojtur trupat amerikane nga kërcënimet e ushtrisë iraniane.

Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse deklarata e IRGC-së për hapjen e zjarrit ndaj dronit dhe avionit luftarak amerikan, i referohet incidenteve të raportuara më herët apo përplasjeve të reja të ndodhura sot. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›